Ballina Kosovë FMN: Rritja ekonomike 4% në Kosovë, inflacioni 2.25% gjatë vitit 2025

FMN: Rritja ekonomike 4% në Kosovë, inflacioni 2.25% gjatë vitit 2025

31
0

Pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja pritet të mbetet në katër për qind në vitin 2025, me inflacionin që stabilizohet në dy pikë njëzet e pesë për qind. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përfunduar rishikimin e katërt dhe të fundit të Marrëveshjeve të Instrumentit të Mbështetjes dhe Qëndrueshmërisë  për Kosovën. Sipas FMN-së, pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja ekonomike në Kosovë pritet të mbetet në katër për qind në vitin 2025. Po ashtu FMN njofton se gjatë vitit 2025, inflacioni do të jetë 2.25 për qind.

“Kosova ka shënuar një performancë të fortë ekonomike, me rritje prej 4.4 për qind në vitin 2024, kryesisht për shkak të konsumit të familjeve dhe kredive private. Inflacioni ka rënë në 1.6 për qind nga 4.9 për qind në vitin 2022. Deficiti i llogarisë jashtme është zgjeruar në 9 për qind të Bruto Produktit Vendor, pasi rritja e konsumit dhe investimeve çoi në rritjen e importeve. Pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja pritet të mbetet në katër për qind në vitin 2025, me inflacionin që stabilizohet në dy pikë njëzet e pesë për qind”.

Në kuadër të rishikimit të katërt, FMN tha se “ky rishikim ka mundësuar disbursimin e SDR 13.352 milionë (16.08 milionë euro) në kuadër të SBA-së dhe SDR 7.744 milionë (9.32 milionë euro) në kuadër të RSF-së. Kështu, total i disbursimeve nën RSF arrin në SDR 61.95 milionë (74.61 milionë euro), ndërsa SBA-ja ka arritur në SDR 80.122 milionë (96.5 milionë euro)”.

Bo Li, zëvendësdrejtor menaxhues i FMN-së dhe kryetar i përkohshëm, tha se “Kosova ka përmirësuar mbledhjen e të ardhurave dhe menaxhimin e investimeve publike, duke rritur transparencën fiskale dhe përmirësuar menaxhimin e riskut fiskal. Reforma të rëndësishme janë bërë dhe në sektorin financiar, duke përmirësuar qeverisjen dhe forcimin e kapitalizimit dhe likuiditetit të bankave”.

“Kjo ecuri pozitive në kuadër të SBA dhe RSF ka mbështetur agjendën e autoriteteve për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për përmbushjen e objektivave të klimës dhe energjisë, me fokus në burime të rinovueshme dhe bashkëpunim rajonal”.

Ministria e Financave përmes një komunikate për media thekson se Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar pozitivisht progresin e arritur nga Kosova.

Ministria thekson se në komunikatën zyrtare të lëshuar pas përfundimit të rishikimit të katërt dhe të fundit të dy programeve me Kosovën përkatësisht Programit të Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) dhe Programit për Resiliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF) konfirmohet përmbyllja me sukses e tyre.

“Si rezultat, bëhen të disponueshme edhe 16.08 milionë euro në kuadër të SBA-së dhe 9.32 milionë euro përmes RSF-së. Komunikata detajon gjetjet e fundit të FMN-së, ku theksohet vazhdimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe ngadalësimi i inflacionit. Në deklaratën e tij, Zëvendësdrejtori Menaxhues i FMN-së, Bo Li, vlerësoi ndikimin pozitiv të dy programeve në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës duke theksuar se ato kanë kontribuar në ruajtjen e borxhit publik në nivele të ulëta, avancimin e reformave në menaxhimin e financave publike si dhe realizimin e objektivave klimatike dhe energjetike të vendit”./ Monitor