Ballina Bota U ribashkua me të bijën e birësuar pas 44 vitesh, gruaja padit...

U ribashkua me të bijën e birësuar pas 44 vitesh, gruaja padit qeverinë/ Historia e trishtë e vajzës së rrëmbyer

0
31

Kujtimi i fundit që Han Tae-soon ka nga vajza e saj, Kyung-ha, daton në maj të vitit 1975, në shtëpinë e tyre në Seul.

Ajo kujton si e kishte pyetur vajzën nëse do të shkonte me të në treg, por Kyung-ha kishte preferuar të luante me shoqet. Kur u kthye, vajza kishte zhdukur — dhe për më shumë se 44 vjet, Han nuk e pa më.

Në vitin 2019, ajo u ribashkua me vajzën e saj, tashmë një grua amerikane me emrin Laurie Bender, e birësuar ilegalisht në SHBA. Rasti i tyre është një nga shumë të ngjashmit që nxjerr në dritë abuzimet e sistemit të birësimeve jashtë vendit në Korenë e Jugut, ku që nga vitet 1950 janë dërguar jashtë vendit mbi 170,000 fëmijë, shumica në Perëndim.

Kyung-ha, e rrëmbyer pranë shtëpisë dhe dërguar në mënyrë të paligjshme në SHBA për t’u rritur nga një familje tjetër, ishte subjekt i një sistemi ku dokumente të falsifikuara e përshkruanin si jetime. Në vitin 2019, grupi 325 Kamra ndihmoi në ribashkimin e tyre pas analizave të ADN-së.

Han, e cila tani po padit qeverinë e Koresë së Jugut për dështimin në parandalimin e këtyre birësimeve të paligjshme dhe abuzimeve, thotë se ka kaluar dekada në kërkim të vajzës së saj, por nuk ka marrë asnjëherë një falje apo përgjegjësi nga autoritetet. “Kalova 44 vjet duke shkatërruar trupin dhe mendjen time duke kërkuar vajzën, por askush nuk më kërkoi ndonjëherë falje,” thotë ajo me dhimbje.

Hetimet historike të filluara në mars zbuluan shkelje serioze të të drejtave të njeriut nga qeveritë e njëpasnjëshme, duke lejuar agjencitë private të eksportonin fëmijë për birësim në shkallë industriale, shpesh pa miratimin e prindërve biologjikë.

Kyung-ha përshkruan ndjenjat e saj për ribashkimin: “Është sikur një vrimë në zemër është shëruar, dhe më në fund ndihesh si një person i plotë.” Por historia e saj është vetëm një nga shumë të tilla, që nxjerr në pah një sistem të errët dhe të dhimbshëm të birësimeve jashtë vendit.

Qeveria e Koresë së Jugut ka shprehur keqardhje për rastin dhe ka premtuar të marrë “veprimet e nevojshme” bazuar në vendimin e gjyqit që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm.