Përdorimi i energjisë elektrike ka shënuar një rritje të përgjithshme në tremujorin e parë të vitit 2025, sidomos nga konsumatorët familjarë, të cilët rritën konsumin në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), konsumi total i energjisë elektrike nga të gjithë kategoritë e konsumatorëve arriti në 1791 GWh, nga 1716 GWh në tremujorin e parë të vitit 2024, duke përfaqësuar një rritje prej 4,4%.
Rritja është udhëhequr kryesisht nga konsumatorët familjarë, të cilët kanë konsumuar 8,7% më shumë energji elektrike sesa një vit më parë.
Në të kundërt, konsumi nga konsumatorët jofamiljarë, që përfshin bizneset, industrinë dhe institucionet, ka shënuar një rënie të lehtë prej 1,3%.
Në tremujorin e parë të këtij viti u regjistrua rënie e prodhimit vendas të energjisë elektrike, si pasojë kryesore e mungesës së reshjeve, e cila ka ndikuar në uljen e ndjeshme të prodhimit nga hidrocentralet, burimi kryesor i energjisë në vend.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike për periudhën janar-mars 2025 ishte 2234 GWh, nga 2478 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rënie prej 9,8%.