Ballina Aktualitet Lamtumirë Piro Milkani! Ndahet nga jeta regjisori i njohur, ikonë e kinematografisë...

Lamtumirë Piro Milkani! Ndahet nga jeta regjisori i njohur, ikonë e kinematografisë shqiptare

28
0

Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori i shquar shqiptar, Piro Milkani, një prej emrave më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, regjisori Eno Milkani, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale ku shkruan: “Iku babi, shoku dhe kolegu im.”

Piro Milkani lindi më 9 dhjetor 1939 në qytetin e Korçës. Ai kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua në degën e operatorisë filmike. Që prej kthimit të tij në Shqipëri, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Milkani realizoi mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë, duke lënë gjurmë të thella me vepra si “Kur zbardhi një ditë” (1971), “Zonja nga qyteti” (1976), “Ballë për ballë” (1979), “Militanti” (1984) dhe “Ngjyrat e moshës” (1990). Ai kontribuoi jo vetëm si regjisor, por edhe si skenarist, operator dhe producent.

Për kontributin e tij të shquar, në vitin 1987 u nderua me titullin “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1997 mori “Çmimin e Veçantë” për krijimtarinë e tij në Euro-Festivalin e Saint-Étienne në Francë.

Një moment i veçantë në jetën e tij ndodhi në vitin 2024, kur pas 63 vitesh, ai mori diplomën zyrtare nga Fakulteti i Filmit në Pragë, gjatë një ceremonie të mbushur me emocione.

Piro Milkani do të kujtohet si një prej themeluesve dhe përfaqësuesve më të denjë të artit filmik shqiptar, një krijues që i dha shpirt dhe identitet kinemasë shqiptare ndër dekada.