Ballina Dossier “Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët i hodhën...

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët i hodhën në gropën e W.C., ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmi për tmerret e Bedenit

38
0

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Policë e graduatë e, me sa u fliste, edhe se u pyeste në ndonji rast nga nuk do të shkonte gjatë e, qysh në muejin e dytë në atë kamp, e sidomos nẽ të tretin, shumë prej të burgosurve, kryesisht atyne ordinerë, të dërmuem prej punës e urisë sẽ tmerrshme, ishin katandisë në gjendje plotësisht të mjera, automatë pa forcë e vullnet e, që gjithashtu pa keqardhje të kishin komprometue para tjerëve dinjitetin e tyne njerëzor, ndërkohe që të shumtët e të burgosurve politikë, nuk do të hiqshin dorë as në këtë rast nga nji qëndrim i tyne i vetëpërmbajtur e dinjitoz.

Të dielave, nëse komanda nuk do të na ngatërronte me ndonji mbledhje a kontroll plaçkash, ata të burgosun që s’kishin ç’të gatuejshin përjashta, të rraskapitur siç ishin prej lodhjes e urisë, gjithë atë ditë pushimi do ta kalojshin të shtrimë mbi jastëkët e tyne, pa lëvizë fare prej vendit e, pa dishrue që t’u fliste njeri, e vazhdimisht me vesh kah rruga, se mos po u ndigjonte zhurma e makinës, që prej Kavaje do të sillte në kamp bukën. Kjo masë të burgosurish, të dërmuem deri në fund, do të fillonte me u ba e gjallë vetëm kur t’i kishte mbushë mendjen vetes se prej s’largut, po u ndigjonte nji si zhurmë makine, me ç’rast ata do t’iu drejtojshin njeriut ma të afërt që kishin aty: “M’ bajnë veshët, apo me të vërtetë po ndigjohet nji si zhurmë makine”?!

Ose; “A të duket edhe ty se asht tue u ndie makina”? – e të tjera si këto, do të ishin pyetje që të burgosurit, me shikime të buta e fëminore, do t’ia drejtojshin njeni-tjetrit, si të përbashkët që kishin gjanë ma të shtrenjtë e të vetme në botë: bukën. Po të qëllonte që në atë kohë në kapanon të hynte dikush prej jashtë, njeni prej atyne do ta pyeste menjiherë: “A ndigjohet gja përjashta”? – pra, tue mos e pasë përmendë fjalën “makinë”, me që ajo u nënkuptonte prej të gjithëve.

Ndodhte edhe që në atë kohë të hynte prej jashtë nji i burgosun tjetër, që po të kishte ndigjue me veshët e tij makinën se po vinte, ai edhe pse pa e pasë pyet njeri, do të thonte me za gëzimi; “Po vjen, po vjen”! dhe me atë lloj nxitimi e toni, sikur t’u bante fjalë për nji sihariq, si për nji gja që edhe mund t’mos ndodhte, ndonëse ardhja e bukës për të burgosurit, ishte gjaja ma e sigurt.

Edhe kur të qëllonte që makina me bukë të kishte ardhë para kohe edhe pse u dinte mirë koha sa do të zgjaste shkarkimi, sistemimi e mandej ndamja e saj ndër racione, si dhe ora fikse e të mbledhunit në rresht e të burgosurve në nji ditë pushimi, prapëseprapë, ata të burgosun që deri atëherë kishin qëndrue shtri, do të nisshin të luejshin vendit me ngadalë, e me gaveta ndër duer, të dilshin përjashta njeni mbas tjetrit, tue u përkundë e të pritshin pa u mërzitë kohën kur do të fillonte me u shpërnda buka.

Kështu pra, në këtë kamp të Bedenit, si në asnji tjetër para e mbrapa tij, do të shfaqej si në nji laborator, ai spektër i brendshëm i njeriut për të cilin kemi folë edhe një herë tjetër, tue fillue nga ata të burgosun te të cilët stërmundimi e uria, kishin shue çdo mendim e dëshirë, për derisa ata t’mos kishin kënaqë disi ekzigjencat ma të domosdoshme për ekzistencë, për të vazhdue me nji kategori tjetër ma të paktë në numër, sidomos ordinerësh, të afruem si spiun prej komandës, e për të mbërrit te modeli ma i keq i njeriut mizor e sadist, siç do të ishte p.sh., i famshmi toger Ademi, për rolin e tij si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishte pranë nji kampi të burgosurish, edhe pse i vogël për nga trupi e me gradën e vetëm të nji nëntogeri, do të ishte njeriu që me sjelljen e tij të përgjithshme, të kërkonte që të fuste frikë te të gjithë e, që të gëzonte autoritet deri edhe prej eprorëve të tij.

Nuk mund ta di ç’të ketë kenë ai instinkt i fuqishëm, që atij djalë fshati e me fare pak shkollë, t’i kishte mësue pikërisht ato lloj sjelljesh, të frikshme e të misterta, që i duheshin punës së tij në raport me të gjithë të tjerët, pa përjashtim. E kishim pa disa herë se si ai, i ndodhun pranë nji grumbulli oficerësh të kampit, të qëndronte në vete. Kur qëllonte që të vinte rreth punës tonë, – gja që ngjiste rrallë, me që puna e tij përherë ishte natën – ai i shoqnuem prej nji o ma shumë “suvarishe” që në distancë i shkojshin përmbrapa, do të kalonte si nji hije e zezë, pa i folë askujt e, pa çue kryet prej toke, me qëllim që te të burgosurit të linte përshtypjen e frikshme, se ai ishte njeriu që kërkonte të depërtonte në mendimet ma të mëshehta të secilit.

Me kalimin e ditëve, skena të dhimbshme e të shëmtueme do të ndiqshin njena-tjetrën. Kishim ndigjue për mjaft raste të burgosurish shumë të uritun, ndër tjerë edhe për kur nji i burgosun të kishte ngranë të vjellët e nji tjetri. Mbetej shumë pak gja që të sensibilizonte të burgosurit e nji kampi, me gjendje fizike të shkallës së fundit e, me urinë e tmerrshme që i kishte mbërthye. Shumë ngjarje, sado të çuditshme e tronditëse që të ndodhshin brenda kampit, përfshi edhe vdekjet, do të kalojshin pa u transmetue prej nji të burgosuni te nji tjetër, si të zakonshme që ishin ba, si edhe për apatinë e thellë që ata të burgosun i kishte pushtue, tue i pasë çue deri atje, sa thuejse gjithçka ta merrshin me nji gjakftohtësi fataliste. Do të kishte raste që natyra njerëzore brenda atij kampi, të shfaqej në aspektet e saj ma të shëmtueme, kur disa të burgosun, në luftë për ekzistencë, të kishte ba që ata t’u nënshtroheshin vetëm ligjeve biologjike.

Rasti e solli që unë në nji të dielë paradreke, t’u bajsha dëshmitar i nji skene që mue me pat ngjallë jo ndjenjat e keqardhjes e të mëshirës, por ato të përbuzjes e neverisë, pa dashtë me ditë ma për shkaqet që disa të burgosun, t’i kishin degradue deri në caqe kafshërie: po u rruejsha diku andej kah fundi i sheshit që vinte mbrapa kapanoneve e jo larg W.C.-ve të hapuna, ku u ndodhte edhe çisterna e destinueme për ujë, sidomos të dielave. Dy të burgosun prej rretheve të Kavajës, si mbaruen së ngrani nji rrush që në atë mëngjes ua kishte sjellë familja, bistakët e tij nuk i hodhën diku aty afër, – siç do të dishronte ndonji i burgosun i uritun – por fill e në gropën e zblueme të W.C. – ve.

Ndërkaq, nji fshatar i hollë e i gjatë, – më duket se nga rrethet e Beratit – që deri atëhere kishte pasë qëndrue në përgjim të atyne që po hajshin atë rrush, ashtu me brakushe të shpërvjeluna deri mbi gju, u lëshue me vrap drejt gropës së zezë e, shpejt e shpejt duel prej andej me në duer bistakët e rrushit, që kullojshin prej gjasë ma të pistë që mund të kishte bota.

Unë i skandalizuem për sa po më shikojshin sytë, kur ai po më kalonte pranë, i bërtita me hidhnim, ashtu si i bërtet i madhi të voglit për nji faj që të ketë krye: “Ça ban mor ti, s’ke turp, hidhi mor dreq, hidhi”?!- ndërkohë që ai, tue kalue shpejt e shpejt e, pa shikue askënd, do t’u largonte me krye për tokë, tue m’u përgjegje vetëm nji herë me za të ultë, si të ishte tue folë me vete: “I laj, i laj”!

Po ndërkohë, do t’ishin edhe ata të rinj, djem të mirë e kurajozë, që pavarësisht situatave, shtresës që i përkitshin e vendeve nga kishin ardhë, që me qëndrimin e tyne shembullore, të gjenerojshin vazhdimisht moral e shprese për të gjithë, e vetë të bëjshin emën, tue u pasë shndrue në simbole të vërteta qëndrese e inkurajimi për të tjerët.

Me kalimin e ditëve, njerëzit e komandës shpikën nji metodë të re torture, për të burgosurin që nuk realizonte normën, ose për nji që kishte kundërshtue për ndonji gja. Atje në vendin e punës, në nji cep të skarpatës sipër, do t’u ngulte nji dru pak i trashë, për ku do t’u kapshin me tela kambët e të burgosurit të dënuem, ndërkohë që trupi i tij me krye poshtë, do t’u zgjaste për faqe të skarpatës.

Për duar të zgjatuna poshtë krejt, do t’u lidhte nji karrocë dore e prishun dhe e mbushun plot me hekurishte, si kazma e lopata të pa bishta, ashtu edhe ndonji bidon me ujë e tokmakë që u përdorshin për ngjeshje dheu, me qëllim që sa ma shumë ta tërhiqshin poshtë të dënuemin, të cilit s’do të vononte e t’i merrej fryma deri në atë pikë, sa t’i binte edhe të fikët. Për mosrealizim norme ose për kundërshtime të ndryshme, nji torturë të tillë e patën vuejtë shumë të burgosun, e mes tyne edhe shokët tonë, si Ruzhdi Çoba, Maliq Teta, Gjon Llambushi etj., po edhe vetë Llazar Anastasi, për të cilin sapo kemi folë pak ma sipër.

Toger Ademi – për përshkrimin e llojit të tij ma të keq s’do të mjaftojshin faqe të tana- si i ardhun në jetë për t’u kënaqë me vuetjet e te tjerëve, e te i cili, si te thuesh, ishin puqe ndjenjat ma çnjerëzore të një krimineli, me detyrën e nji komisari komunist, do të bajshin që ai, si njeriu ma i besueshëm i diktaturës aty, ta kryente detyrën deri në përsosmëri. E pat ba si rregull që para, ose pak mbas mesnate, të thirte në zyrën e tij tri kategori të burgosurish: spiunë, që atij t’i raportojshin çfarë kishin ndigjue e vërejt ditët e fundit; nji palë të dytë prej të burgosurve të ndershëm, me qëllim që të maskojshin të parët e, vetë mundësisht, t’u komprometojshin para shokëve të tyne; e të fundit, ata që nuk kishin realizue normën.

Pikërisht në kohën kur këta të burgosun, të dërmuem prej mundimit të ditës po bajshin për vdekje gjumin ma të thellë, do t’u zgjojshin në atë orë të vonë të natës, prej kasnecëve ordinerë e të besueshëm të toger Ademit, të cilët, tue u prekë lehtë këmbët me duer, t’u pëshpëritshin me za të ultë, si gjoja për të ruejtë sekretin e thirrjes para tjerëve: “Çou se të duan në komandë”! Si për t’i mundue edhe ma shumë këta të burgosun, toger Ademi do të krijonte qëllimisht intervale të gjatë kohe, mes futjes në zyrë të nji të burgosuni e, të nji tjetri.

Thirrjes së tij edhe unë nuk do t’i shpëtojsha nji herë: Mbasi më pat lënë shumë për të pritë, më futi të fundit në zyrë, e tue mos pasë përse të më pyeste, do të më thonte me atë rast: “Është nji vajzë që të shkruan përherë ty, tue pasë fjalën për letrat që më kishte dërgue Simja, prej të cilave në atë kamp, nuk do të më kishin dhanë asnji, sado që edhe pa ato letra, kujtimi i saj para se me fjet, shpeshherë do të më vinte në gjumë vuajtjet e ditës.

Ditët e gjata me të nxehtit e madh të muejve korrik e gusht, shterja e disa burimeve të ujit, largësia nga lumi ku së fundi u mbushte ai ujë, kishin ba qẽ etja të shkaktonte shumë vuejtje. Nji mëngjes, miku i im Ali Brahja, që ishte i sëmurë q’prej disa ditësh e, që si i tillë qëndronte me shërbim në kapanon, në kohën kur ne po u nisshim për punë, më afrohet e tue ba kujdes që t’mos e ndigjonte kush tjetër, do të më thonte: “Ahmet, po sollën sot ujë në kamp, do mundohem me të sigurue nji matare me ujë, por ti, kur të kthehesh prej punës, përpiqu të hyjsh ndër të parët në kamp”.

Edhe pse kur qemë kthye prej punës unë munda të hyj pak a shumë ndër të parët, ujë nuk gjeta, veç Alinë që po më priste në kambë e me krahë të hapun, që me dëshpërim do të më thonte: “Ta pata nda, e tue të pritë ty me matare në dorë, ma morën të tjerët për dueresh, por unë nesër do ta mbaj mshehë, deri t’vijsh ti”. Dhe me të vërtetë, të nesërmen ashtu do të ndodhte: i kthyem në skelet e me fytyrë krejt të verdhë, Alia me buzë në gaz, do të më thonte: “Pije Ahmet”, dhe kur unë t’ia çojsha deri në gjysë, ai me seriozitet, do të ndërhynte menjëherë: “O e pin ti krejt, ose unë e derdh”, – dhe mbrapa unë bana si desht Alia, ndonëse si në rastin me Ruzhdi Çobën, e pata kundërshtue nji herë.

Në ditët e para të atij shtatori pat ra shi tri-katër herë gjatë natës, tue ba që të nesërmen, kur të kalojshim për në punë, rrugës të takojshim pellgje të vegjël me ujë, buzë të cilëve na do t’u shtrijshim barkas e, të pijshim ujët e tyne si bagëtitë, e së fundi t’u ngrijshim me buzë të rudhuna, prej shijes së keqe që kishte uji me aromë të randë bimësh e lulesh të ndryshme.

Dendësia e madhe e të burgosurve brenda nji hapsine të kufizueme toke, vapa, mungesa e theksueme e ujit, gropa e zbulueme septike e rreth dy mijë të burgosurve, shtue këtyne edhe ramjen e organizmit të shumicës së të burgosurve, kishin ba që të sëmurët me “diarre” e “dizanteri”, të ishin të shumtë, gja që pat alarmue edhe komandën, jo prej merakut të shëndetit të atyne që ajo i quante “armiq të popullit”, por për nji rendiment ma të paktë, që do të kishte puna.

Megjithatë, komanda nga ana e saj, do t’i hiqte doktorit edhe të drejtën për të mbajt në kamp si të sëmurë, tej shifrës që ajo komandë do t’i kishte serirë atij. Për pasojë, shumë të sëmurë, që mezi ndrrojshin hapat, do t’u detyrojshin me dalë në punë e, për disa prej tyne, jeta t’u bante absolutisht e padurueshme.

Siç e kemi folë edhe ma sipër, në nji kamp me numër të madh të burgosurish e, me nji front pune që u zgjaste deri në dy kilometra, jo çdo gja që ndodhte gjatë ditës, do t’u merrte vesh. Unë edhe sot kujtoj raste të sëmurësh, që prej dëshpërimit, tentuen t’u vetëvriteshin: kështu p.sh., kur nji i burgosun nga zonat veri-lindore, nji njeri që disa herë ishte pa tue dorzue racionin e bukës, për pak cigare, që ishte i sëmurë, por i nxjerrë me forcë në punë, do të kërkonte nji ditë me i dhanë fund jetës, tue mësye me vrap drejt rojeve.

Nji rast tjetër që kujtoj do të ishte edhe ai kur nji tjetër i burgosun po donte me i dhanë fund jetës, tue prë damarët e duerëve brenda nji W.C.-je të pa derë. Kishte kenë ndërhymja e rastësishme e Xhevat Qukut, që kishte ba të mundun shpëtimin e jetës së tij. Po kështu kujtoj edhe nji rast, kur nji i burgosun i sëmurë por i nxjerrun me forcë në punë, që mbas pak orësh do të kishte vrapue drejt rojeve me gjoks para e, tue u thirr që ta vritshin, ndërkohë që policët nga ana e tyne, kishin vazhdue të shtijshin me armë anash e sipër tij, derisa ma në fund ta kapshin.

Rojet e tjera, të shpërndame nëpër nji perimetër kaq të gjatë, tue mos ditë ç’po ndodhte e, tue besue se mos kishte ndonji tentative për ikje masive të të burgosurve, do të qitshin me automatikë e mitraloza nga të gjitha anët gjatë ma shumë se dhetë minutash, sipër brigjeve të kanalit ku ne po punojshim. Më kujtohet se në këtë valë pushkësh, i qeshë afrue Ahmet Koplikut, me të cilin punojshim bashkë, tue i thanë: “Ahmet, ishalla asht ndoj gja e mirë e, ti n’qosh burrë, na këndo nji herë”! dhe Ahmeti që këndonte bukur, vërtetë që filloi të këndonte.

Ai kamp i Bedenit kishte dy sheshe të lirë: njenin para kapanoneve e paralel me rrugën, kah ishte edhe hymja për në kamp, e tjetri mbrapa kapanoneve, ku u bajshin edhe mbledhjet që organizonte komanda, sidomos sa herë që ajo ki mundojshim e t’u tretshim fizikisht e moralisht, e që pa buje, edhe të vdisshim, si kundërshtarë të rrezikshëm që na kishte cilësue ai regjim. Kur po afronte vjeshta, komanda, për të na mundue edhe ma shumë, do të na zgjonte me natë, qysh në orën tre të mëngjesit. Na zgjojshin aq herët, siç e thashë, vetëm për të na mundue, pa le t’ishte edhe në dam të rendimentit të punës!

Nën kërcënimin e shkopinjve te policëve, brenda pak minutave, na do t’u gjindshim zbathët e me kambët e pantallonave të shpervjelun der mbi gju, të zhytun brenda nji pellgu uji e balte të ftoftë si akull, ku tue u dridhë e pa muejte me lëvize, do të pritshim derisa te zbardhte dita, kohë kur mandej do të na kalojshin në sheshin e thate para kapanoneve, ku edhe u bante apeli i jonë.

Në këtë shesh të dytë, për aq kohë sa të zgjaste apeli i rreth dy mijë të burgosurve, na do të qëndrojshim ulun e nuk do të kishte ditë që ndërsa u thirrshin emnat tonë, t’mos kishte disa të burgosun që nga dobësimi i madh fizik i tyne, nga uria, sëmundjet, gjumit të pamjaftueshëm e të ftoftit që deri atëherë u ishte futë deri në palcë, që mbasi te lëshojshin papritmas nji klithme, herë te fortë e herë të dobët e, si vajtuese, përfundimisht të këputeshin në vend si pula të smueta, për te ra pa ndjenja ndër kambë e prehna të shokëve që kishin mbrapa.

Përmbas apelit e si mbas ritualit te përditshëm, do t’u rreshtojshim ndër brigada, për t’u nisë për punë, dhe kur dy për dy të përshkojshim si në vrimë të gjylpanës portën e daljes nga kampi, policë e nënoficerë me lapsa e letra ndër duer, do të na numrojshin si bagëtitë e do të ndodhte vazhdimisht, që si pak ma parë, të tjerë të burgosun t’u rrëzojshin pa ndjenja edhe ndër kambë te tyne.

Ka qenë i çuditshëm fakti që të burgosurit atje, falë forcave të tyne të brendshme, do të vazhdojshin me qëndrue në kambë derisa në gjendjen e tyne të kishte mbet pa i u shue edhe nji grimcë e fundit gjallese. Dhe përfundimisht, jo të gjithë këta fatkeq të rrëzuem për tokë pa ndjenja, t’ishte e thanë që t’u kthejshin në jetë. Kishte prej tyne që vdisshin, e me që përgjithësisht ishin ordinerë të raskapitun, i kishin hikë edhe memories sẽ nji kampi me gjendje të thellë apatie e fataliteti.

Pat ardhe nji kohë kur të burgosunit t’mos ishin në gjendje me kapërcye as edhe nji kanal sado i vogël që t’ ishte, për pa e pasë vue ma parë njenën kambë në fundin e tij, edhe në qoftë që ai t’ishte nji pëllëmbë i thellë e dy i gjanë, si edhe kur në ecje e sipër, do t’i dredhojshin edhe nji çfarëdo guri që t’u dite para, pa pasë qenë në gjendje me e kapërcye. Kishte pak ditë që pranë grupit tonë të punës prej tre vetësh, punojshin të burgosun me moshë pak ma të madhe se tonën. Ishin nga qyteti i Tiranës e u quejshin Tomorr e Fiqiri. Te dy të butë e të sjellshëm, aq sa si të thuesh edhe zani i gojës mezi t’iu ndigjonte. Shkojshin mirë me njeni-tjetrin e më duket se në burg kishin ra për punë defiçiti, si punonjës tregtie që duhet të kishin qenë.

Sado që bisedojshin ndërmjet tyne me za të ulte, unë disa herë i kisha ndigjue të flitshin për futboll e të përmendshin ndonjihere emnin e futbollistit Bule Vathi, i cili dy vjet ma parë, ishte arratisë në Turqi bashkë me Bahri Kavajën e Shkodrës. Fuqitë u kishin pasë shterrue krejt e për pasoje, rendimenti i tyne ne punë ishte fare i pakët. Nji dite, ndërsa unë po gërmojsha dhe me shpinë prej tyne, ndigjoj me çudi se ata po u zijshin njeni me tjetrin. U hyna nè mes, e pa vështirësi i ndava. Po vazhdojsha punën time, kur përsëri ndigjoj se ata po bajshin fjalë mes tyne e, unë edhe kësaj here i ndava, tue u folë si fëmijëve.

Herën e tretë nuk do të tentojsha me i nda shpejt, sepse unë do të shtangsha në vend, përsa po me shifshin sytë: ishin nisë gjoja që të rrezojshin shoqishojn e prej pafuqisë, kishin mbet të mbështetun për njeni-tjetrin, qafë për qafë e me duer ndër supe të shoqishojt, pa muejte as me u shkëputë. Kur unë tue mbajtë gazin ndërhyna për t’i nda, ekuilibri i tyne u prish paksa e, menjëherë ata ranë për tokë si nji trup i vetëm, gjithnji si të përqafuem e pa tentue që t’u lirojshin prej shoqishojt, e madje, pa nxjerre ma fjalë prej gojet, si t’ishin dy “pëllumba”, që po realizojshin fundin e nji spektakli, që fliste vetë ma tepër se çdo fjalë tjetër ma shumë! Memorie.al