Ballina Europë Austria ndalon martesat mes kushërinjve

Austria ndalon martesat mes kushërinjve

36
0

Qeveria federale e Austrisë ka marrë një masë të rëndësishme për mbrojtjen e të miturve dhe forcimin e së drejtës familjare, duke propozuar ndalimin e martesave për personat nën 18 vjeç, si dhe ndalimin e martesave midis të afërmve deri në shkallën e katërt të vijës anësore, përfshirë edhe martesat mes kushërinjve.

Projektligji u prezantua të mërkurën nga Ministrja e Drejtësisë, Anna Sporrer (SPÖ), dhe pritet të miratohet nga Këshilli Kombëtar para pushimeve verore, me hyrjen në fuqi të ligjit që do të ndodhë në gusht të vitit 2025.

“Në të ardhmen, vetëm personat që kanë mbushur 18 vjeç do të lejohen të martohen ose të regjistrojnë partneritete civile,” tha Sporrer gjatë mbledhjes së kabinetit, shkruajnë mediat.

Aktualisht, ligji austriak lejonte martesat për të miturit mbi 16 vjeç me miratimin e gjykatës dhe kujdestarit ligjor – një procedurë që shpesh kryhej pa vlerësime të thella mbi pjekurinë dhe rrethanat personale.

Ministrja e Familjes, Claudia Plakolm (ÖVP), e cilësoi këtë iniciativë si “një hap vendimtar kundër martesave të fëmijëve”. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të NEOS, Yannick Shetty, e përkrahu nismën, duke theksuar se numri i rasteve të prekura është i vogël – nga disa dhjetëra deri në disa qindra në mbarë vendin.

“Një vajzë 16-vjeçare duhet të jetë në shkollë, jo në zyrën e gjendjes civile,” u shpreh Shetty, duke nënvizuar rëndësinë e kufizimit të martesave të hershme për të mbrojtur zhvillimin dhe të drejtat e të miturve.

Sipas statistikave të Austrisë, numri i martesave ku të paktën njëri nga partnerët ishte nën 18 vjeç ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit – nga rreth 50 raste në vitin 2015, në vetëm 6 raste në vitin 2024.

Projektligji gjithashtu parashikon që prokuroria do të ketë të drejtën të kërkojë anulimin e një martese ose partneriteti të regjistruar, në rast se njëri nga partnerët nuk ka pasur aftësinë ligjore për të hyrë në marrëdhënie të tilla.

Kjo nismë qeveritare përbën përfundimin e një përpjekjeje të mëparshme të qeverisë ÖVP-Të Gjelbrit, e cila kishte hartuar një draft të ngjashëm, por që nuk u miratua. Me konsensus të gjerë politik, ligji pritet të hyjë në fuqi në muajt e ardhshëm.