Në një intervistë ekskluzive për “Nazarko Podcast”, Profesor Doktor Edvin Prifti, një nga figurat më të spikatura të kardiokirurgjisë shqiptare, ndau rrëfime, përvoja dhe pikëpamje që sfidojnë narrativat zyrtare të pandemisë COVID-19.
I njohur për kontributin e tij në mjekësinë shqiptare dhe ndërkombëtare, profesor Prifti tregoi se përfshirja e tij në debatin mbi COVID-19, nuk ishte rastësore. Që në vitin 2003, ai kishte qenë pjesë e një projekti shkencor që identifikonte për herë të parë qelizën staminale të zemrës te njeriu, si dhe aplikimin kirurgjikal të terapisë gjenetike – teknologji që, sipas tij, ngjasonte me mekanizmin e vaksinave të përdorura gjatë pandemisë.
Gjatë bisedës, Prifti tregoi për eksperiencën e tij në spitalin “Sunnybrook” në Toronto, ku përjetoi nga afër shpërthimin e SARS-it të pare, në vitin 2003. Ky përjetim personal, së bashku me sfidat shkencore, e shtyu të analizonte thellë karakterin biologjik dhe terapeutik të virusit SARS-CoV-2.
Në bashkëpunim me kolegë ndërkombëtarë nga Italia dhe Hollanda, ai realizoi një studim mbi pacientët e transplantuar, të cilët, marrin medikamente imunosupresore si ciklosporina, kortizoni dhe azatioprina. Gjetjet ishin befasuese: pacientët që vijuan marrjen e ilaçeve imunosupresore kishin vdekshmëri më të ulët nga COVID-19 sesa ata që i ndërprenë. Ky fakt, sipas tij, hodhi dyshime mbi konceptin e përhapur se COVID-19 është thjesht një infeksion që kërkon forcim të imunitetit.
Studimi i tij u botua në një revistë prestigjioze amerikane dhe iu propozua Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Megjithatë, përgjigja e OBSH-së ishte se duhej më shumë volum të dhënash, për të arritur në përfundime përfundimtare.
“Sot, katër vite më vonë, ciklosporina që ne sugjeruam atëherë, po përdoret nga grupet kërkimore si trajtim potencial kundër COVID-19 – madje edhe në formë spray nazal,” – thekson, profesor Prifti.
Në këtë bisedë të thelluar, që prek jo vetëm çështje shkencore, por edhe ato etike dhe institucionale, profesor Prifti ngre pyetje të forta mbi mënyrën se si u menaxhua pandemia globalisht dhe rolin që luajtën institucionet ndërkombëtare në menaxhimin e informacionit shkencor.
Profesor Edvin Prifti zbërthen projektin sekret “Defuse” dhe lidhjet me pandeminë COVID-19
Në një intervistë të rrallë, përballë Mentor Nazarkos, profesor Edvin Prifti shpalos detaje tronditëse lidhur me përdorimin e vaksinave gjatë pandemisë dhe projektin sekret “Defuse”, që dyshohet se ka luajtur rol në origjinën e virusit SARS-CoV-2.
Prifti thekson se, vaksinimet janë aplikuar në kushte emergjence, pa studime të plota, duke cituar klauzola ligjore që lejojnë përdorimin e preparateve pa efikasitet të dëshmuar vetëm në raste kur nuk ekziston asnjë ilaç efektiv.
Ai flet për një projekt të vitit 2017, të depozituar në DARPA, agjencinë e kërkimit shkencor të Pentagonit, që synonte të testonte krijimin dhe reagimin ndaj armëve biologjike të tipit “gain of function”. Projekti “Defuse” përfshinte bashkëpunim me Institutin e Virologjisë së Pekinit dhe organizata të tjera, përfshirë Eco Health Alliance, që Prifti e përshkruan si një nga grupet kyçe financuese dhe me lidhje të thella në industrinë farmaceutike dhe organizatat ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit në këtë projekt I ndoqi fati i keq, me disa prej tyre të vrarë ose të zhdukur në mënyra misterioze, ndërsa vetë Prifti flet për presione dhe interesat e fuqive të mëdha që lidhen me këtë skandal global.
Ai nënvizon edhe lidhjet e ngushta midis drejtuesve të kompanive farmaceutike të mëdha dhe personave që kanë qenë pjesë e zhvillimit të këtyre viruseve, duke përmendur raste të dyshimta vdekjeje që lidhen me këto zhvillime.
Ky rrëfim hedh dritë mbi debatet shkencore dhe politike që po zhvillohen sot në botë, duke ngritur pyetje të mëdha për transparencën dhe sigurinë e vaksinave dhe mënyrën si janë menaxhuar krizat shëndetësore globale.
Profesor Edvin Prifti: Sfidat e Terapive Gjenetike dhe Eksperienca me Pandeminë Covid-19
Gjatë intervistës së gjatë e të thelluar me Nazarkon, doktori ndan përvojën e tij personale dhe profesionale lidhur me trajtimin e pandemisë Covid-19 dhe vaksinave të bazuara në terapi gjenetike. Ai thekson se pandemia shërbeu si një realitet i vështirë me të cilin u përball gjithë bota, ku ndikimi i industrive farmaceutike mbi vendimmarrjen qeveritare ishte evident.
Profesor Prifti, me përvojë të gjatë në terapi gjenetike dhe kardiokirurgji, ndan shqetësimet e tij rreth efektivitetit dhe sigurisë së vaksinave që përmbajnë material gjenetik të koronavirusit (si Pfizer dhe Moderna). Ai sqaron se këto vaksina kanë një mekanizëm unik, ku organizmi i njeriut prodhon vetë proteinën Spike të virusit, çka sipas tij, mund të ketë pasoja afatgjata që ende nuk janë plotësisht të qarta.
Profesor Prifti thekson se kontratat mes firmave prodhuese dhe qeverive përjashtojnë përgjegjësinë penale të prodhuesve për efektet anësore, duke e bërë situatën të pazakontë dhe me sfida ligjore dhe etike.
Ai, gjithashtu diskuton për fenomenin e ri të “turbokancerit” — një lloj kanceri me përparim shumë të shpejtë, që po studiohet në lidhje me efektet anësore të vaksinave gjenetike. Ai nënvizon se, në vende ku vaksinat e tipit RNA nuk janë përdorur masivisht, nuk është vërejtur ky fenomen.
Ndërsa Profesor Prifti ka kaluar Covidin vetë në formë të lehtë, ai humbi kolegë dhe miq të afërt nga kjo pandemi. Ai ndan se përvojat dhe kritikat e tij ndaj sistemit shëndetësor dhe vaksinave shpesh nuk u mirëpritën, përfshirë edhe hetime dhe persekutime që ai i konsideron të pabarabarta dhe të padrejta.
Në fund, ai bën thirrje për transparencë, hapje diskutimesh shkencore dhe informim të drejtë të qytetarëve, për të ndërtuar besim dhe për të përballuar sfidat shëndetësore globale në të ardhmen.
Profesor Edvin Prifti: Nuk ka ndryshim të madh në cilësinë e mësimdhënies në universitetet mjekësore shqiptare, por modeli i ndarjes së tyre është i vjetëruar
Në Nazarko Podcast, profesori dhe studiuesi i njohur Edvin Prifti ka folur për gjendjen e arsimit universitar në fushën e mjekësisë në Shqipëri dhe për origjinën e kolonjarëve, duke ofruar një perspektivë multidisiplinare mbi historinë dhe sfidat aktuale.
Në lidhje me mësimdhënien në universitetet shqiptare të mjekësisë, Prifti thekson se nuk ka pasur ndryshime të mëdha që nga viti 2013 dhe shpreh pikëpamjen se ndarja e universiteteve në degë të veçanta mjekësore nuk është modeli më i mirë. Ai argumenton se ky model është reminishencë e sistemeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe regjimeve diktatoriale, të cilët kanë ndarë universitetet në mënyrë të ngushtë, duke penguar zhvillimin e mjekëve intelektualë dhe të plotë.
“Në vitin 2013 kam bërë një studim mbi 2635 universitete të Evropës kontinentale dhe vetëm 51 prej tyre ishin universitete të veçanta mjekësore, kryesisht në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Evropës Lindore, që po përpiqeshin të konvertoheshin në modele më bashkëkohore,” – shpjegon Prifti. Ai mbështet idenë që universitetet publike në Tiranë, duhet të grumbullohen në një universitet të vetëm, duke respektuar konceptin universal të “universit”.
“Arza, jo Rehova” – Një rrëfim personal për origjinën, trashëgiminë dhe emrin Kolonjë
Intervista nga Nazarko qe gjithashtu, një “arratisje” interesante drejt origjinës së kolonjarëve dhe historisë së tyre. Prifti ka ndarë njohuri për prejardhjen e familjes së tij nga fshati Arzë, në zonën kufitare me Greqinë, si dhe për rrënjët historike dhe etnike të popullit kolonjar, të lidhura me familjet princërore të Hercegovinës, sa dhe ndikimet e periudhës së Mesjetës së hershme. Ai ka theksuar rëndësinë e arsimit dhe përpjekjet e para për identitetin shqiptar që datojnë qysh në shekullin e 19-të me veprimtarinë e Mitkos dhe rilindësve të tjerë.
Kur Nazarko e pyet për origjinën, duke përmendur emrin e fshatit, ai përgjgigjet: “Jo, nga Rehova, por nga Arza” – një fshat që sot nuk ekziston më, por që dikur ndodhej mbi Gërmenj, në rrugën që lidhte Kolonjën me kufirin grek. I braktisur dhe zhdukur që prej vitit 1949, Arza mbetet një kujtim i gjallë për pasardhësit e atyre trojeve.
Fshati kishte një pozicion strategjik, madje edhe një post kufitar. Megjithatë, historia e familjes nuk ndalet tek gjeografia. Mbiemri “Prifti” është ndërruar para gjashtë brezash, për të lënë vend mbiemrit “Mitko” – një emër që lidhet me një figurë të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.
Një tjetër figurë që spikat, në bisedën mes dy kolonjarësh të njohur: babai i bashkëbiseduesit, një kimist me kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e korrozionit të metaleve, një nga të paktët specialistë shqiptarë në këtë fushë dhe përkthyes i poetëve francezë, si Baudelaire dhe Prévert. Një profil që bashkon shkencën dhe artin, teknikën dhe kulturën.
Por, më tej, biseda merr një kthesë historike. Me lexim dhe interpretim personal, bashkëbiseduesi hedh një hipotezë për origjinën e emrit “Kolonjë”. Sipas tij, emri rrjedh nga një “koloni” fisnikësh të ardhur nga Herzegovina – një degë e një familjeje dukësh që, në periudhën e mesjetës së hershme, u vendos në këtë krahinë shqiptare. Kjo hipotezë hedh dritë mbi përbërjen jo domosdoshmërisht arbërore të disa familjeve princërore të kohës, në një periudhë kur kufijtë etnikë ishin më të paqartë dhe ndarjet më fluide.
Referencat shkojnë deri tek Anzhujt dhe kryqëzatat, me përmendjen e mbretërisë së Shqipërisë që sipas tij u krijua nga kryqtarët në shekujt XI-XII. Në këtë kontekst, Kolonja dhe banorët e saj shfaqen si pjesë e një historie më të gjerë, me ndikime të shumta kulturore dhe politike.
Në fund, diskutimi kthehet te një temë që i jep kuptim gjithë rrëfimit: emërtimi i shqiptarëve. Përpara termit “shqiptar”, në përdorim ishte “arbër” – një term që sipas bashkëbiseduesit, duhet të mbetet i gjallë, sepse është emri i vërtetë historik i kombit tonë.
“Arbër, Arvanitas, Albanski – janë të gjitha variante të njëjtit komb,” thotë ai, duke hedhur poshtë ndarjet artificiale dhe duke theksuar se identiteti i vërtetë qëndron në trashëgiminë që përçon përmes brezave – qoftë përmes një fshati të zhdukur, një mbiemri të harruar, apo një poezie të përkthyer në heshtje.
Nga rrënjët personale në hipoteza historike, ky rrëfim nuk është thjesht një tregim për origjinën, por një thirrje për të rikujtuar e rivlerësuar atë që jemi – përtej emrave dhe kufijve.
Profesor Edvin Prifti: Nga mbështetja e vaksinave te transhumanizmi dhe inteligjenca artificiale në mjekësi
Në një bisedë të thellë me profesor Edvin Priftin, trajtohen tema aktuale e sfiduese që kanë prekur botën gjatë pandemisë Covid-19, si dhe zhvillimet e ardhshme në fushën e inteligjencës artificiale dhe transhumanizmit.
ofesor Prifti theksoi se gjatë periudhës së parë të pandemisë, ish-presidenti amerikan Donald Trump mbështeti vaksinat, megjithëse disa herë u ndikua nga informacione të pasakta dhe trajtime alternative si hidroksiklorokina. Ai shtoi se Trump ka ndryshuar qëndrim dhe tani i ka lënë fushën ekspertëve më kompetentë, si Robert Kennedy, një kritik i menaxhimit të pandemisë.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës u përqendrua te inteligjenca artificiale në mjekësi. Prifti rrëfeu se gjatë periudhës së izolimit ai ka ndjekur studimet mbi inteligjencën artificiale dhe kirurgjinë robotike. Ai përmendi se në Kinë, tashmë është hapur spitali i parë ku mjekët dhe infermierët janë të mbështetur nga robotë dhe sisteme inteligjente.
Profesor Prifti paralajmëroi për sfidat e autonomisë së inteligjencës artificiale, ku një robot kirurg mund të ndryshojë objektivat në kohë reale, duke krijuar një sistem që mund të jetë i paqëndrueshëm dhe me rreziqe të mëdha në të ardhmen.
Një tjetër temë me rëndësi ishte transhumanizmi, një filozofi dhe lëvizje shkencore që synon përmirësimin dhe tejkalimin e kufijve njerëzorë, deri në krijimin e një specie të re humanoide me kapacitete më të avancuara. Profesor Prifti shpjegoi se, kjo ide lidhet ngushtë me neoliberalizmin dhe ka rrënjë të thella historike, që ngjajnë me sfida të mëdha sociale dhe ekzistenciale.
Në përmbyllje të bisedës, Prifti theksoi nevojën për kujdes në përdorimin e teknologjive të avancuara, duke kujtuar se edhe energjia atomike, e krijuar fillimisht për të mirën e njerëzimit, u shndërrua në armë shkatërrimi masiv.
Po ashtu, doktori njoftoi se është në përfundim të një libri kushtuar transhumanizmit, ku do të trajtojë më thellë këto ide filozofike, sociologjike dhe mjekësore.