Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për garantimin e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Këto deklarata ajo i bëri në takimin me delegacionin e Kongresit amerikan të udhëhequr nga kongresistet, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan si dhe me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.
“Ajo [Osmani] nënvizoi se sa herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë dhe ka luajtur rol aktiv në rajonin tonë, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është shënuar përparim i rëndësishëm”, u tha në njoftimin për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës.
Sipas njoftimit, presidentja Osmani me dy kongresistet amerikane ka diskutuar për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë, por edhe për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, veçmas në fushën e mbrojtjes, investimeve dhe avancimit të mëtejmë të raporteve dypalëshe.
“Duke falënderuar kongresistët për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është po ashtu jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, që mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës”, tha Presidenca e Kosovës.