Drita Kosturi ishte një figurë e rezistencës antifashiste dhe kundër diktaturës në Shqipëri gjatë shekullit të 20- të. Ajo u lind në vitin 1920 në Lezhë.
Ish-e fejuara e Qemal Stafës dhe pas lufte bashkëshorte e Myzafer Pipës. Në vitin 1938 mbaroi arsimin e mesëm në Tiranë. Në vitet 1939-1941 ndoqi studimet në Itali për mjekësi. U burgos dy herë nga regjimi fashist, por një dënim të gjatë e të pashembullt e pati nga regjimi komunist. Hyri në burg 26 dhe doli prej andej 39 vjeçe. Regjimi i mori rininë në mënyrën më të pabesueshme dhe kriminale. Dënimi i saj ishte hakmarrje tipike ndaj një gruaje të pambrojtur. U arrestua më 13.9.1946, kohë kur banonte në Shkodër, në kuadër të fushatës së arrestimeve masive që lidheshin me kryengritjen e Postribës, të cilat bëheshin pavarësisht faktit nëse personi kishte apo jo lidhje. U pyet në hetuesi nga Nesti Kopali, një prej më gjakatarëve të ish -Sigurimit këtë kohë në Shkodër. Akuzat e formuluara ishin shumë pa lidhje.
Në UNRRA kishte qenë dy herë për të çuar një ftesë balloje, por ajo e njihte Okli Hillin qysh kur ishte e vogël ngaqë babai ishte oficer madhor i xhandarmërisë. U akuzua në bazë të neneve 2, 3 (1, 2, 7, 8, 10), 4, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, se ishte lidhur me misionet anglo-amerikane në Tiranë, se ishte bërë “agjente” e tyre, se ishte martuar me “tradhtarin Myzafer Pipa” duke krijuar “grupe terroriste” me atë për një “kryengritje kundër pushtetit”, se shkoi në Shkodër, Durrës, Tiranë, Kolonjë, Korçë, etj, për të përhapur “frymën e reaksionit dhe pakënaqësinë”, se nxiste në paraburgim të pandehurit të mohonin akuzat, etj. Gjykata Ushtarake Shkodër, me vendimin nr.506, datë 23.12.1946, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me vdekje dhe konfiskimin e pasurisë. U ndryshua në me 20 vjet burgim me vendimin nr.101, datë 29.2.1948 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. U lirua më 18.9.1959 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit, pasi kish vuajtur 13 vjet dhe 5 ditë heqje lirie.
U internua menjëherë në Shtyllas të Fierit. Në vitin 1988 Drita Kosturi u kthye në Tiranë, ku vazhdoi të jetonte deri në momentin e vdekjes në vitin 2002. Edhe pasi u lirua nga burgu, ajo nuk ndaloi kurrë të mbështeste luftën për lirinë dhe drejtësinë në Shqipëri, duke qenë një simbol i rezistencës dhe përkushtimit ndaj idealit të lirisë. Gjatë jetës së saj ajo pati një ndikim në shoqërinë shqiptare, duke treguar guxim dhe përkushtim në kundërshtimin e dhunës dhe padrejtësisë. Drita Kosturi mbetet një figurë frymëzuese për brezat e ardhshëm të Shqipërisë, që përmes sakrificave të saj, u bë një pjesë e pamohueshme e historisë së vendit.
Rrëfimi
Drita Kosturi rrëfeu persekutimin e saj përmes një interviste në gazetën “Rilindja Demokratike”, më 16.2.1991. “Isha punonjëse e Kryqit të Kuq atëherë kur u arrestova. Ndodhi në gusht 1946. Natyrisht për mua ishte krejt e papritur dhe akuzat nga më të pabesueshmet: agjitacion e propagandë kundër popullit e pushtetit, bashkëpunëtore e anglezëve (në spitalin partizan punoja me një mjek anglez), etj. Them e të tjera sepse që në pyetjet e para në hetuesi, m’u tha se unë nuk duhej të pretendoja për asgjë më tepër se isha e dënuar dhe kaq. Pra duhej të pranoja logjikën e mbrapshtë të atij pushteti për të cilin kisha luftuar e sakrifikuar aq shumë. Prej 1946-s kur u arrestova e deri në vitin 1948, unë jam mbajtur në hetuesinë e Shkodrës, ku pashë se si hoqën dhe u transformuan shumë njerëz të nderuar, intelektualë, pedagogë, priftërinj, hoxhallarë, historianë. Në qoftë se do duhet të flas për vuajtje e tortura burgu, i kalova pikërisht atje. Por tortura fizike kalon, durohet.
Mjafton këmbëngulje, vullnet e optimizëm. Ajo që është më e paharruar nuk është dhimbja e mishit, por e shpirtit. Vuajtja më e madhe ka qenë kur shihja si torturonin të tjerët, ai ata njerëz të pafajshëm dënoheshin që të qëndronin mëkëmbë me ditë të tëra pa u ulur asnjë sekondë dhe pastaj krijonin “veprimtari armiqësore” për vetveten, vetëm e vetëm për të ndenjur ulur apo shtrirë një natë. Edhe hetuesit e dinin absurdin e pyetjeve të tyre edhe absurdin e përgjigjeve sepse herë-herë përpara se të nisnin ritualin e zakonshëm të mbrëmjes për marrjen në pyetje, thoshin: “hajde luajmë rrenash tani”. U dënova me vdekje. Për tre muaj me radhë, prisja xhelatin që në orën dy pas mesnate. Ka qenë ankth i pafund. Pas tre muajsh vijnë përfaqësues të Gjykatës së Lartë Ushtarake, të cilët më deklaruan se më ishte falur jeta dhe do bëja vetëm 20 vjet burg.
“Falënderoje Presidiumin e Kuvendit Popullor”-thanë ata. Pra, duhej edhe të falënderoja. E kam gjithmonë në vesh zërin e të mirit pedagog Kolë Prela, i cili u ekzekutua më vonë. “Mos harro Dritë, më shih nënën”-më tha kur po largohesha. Më pas m’u ulën edhe 5 vjet të tjera dhe pasi shleva edhe 2 vjet me punë, kalova plot 13 vjet në burgun e Tiranës. Nuk mund të mos kujtoj këtu dhe nuk mund të rri pa i përmendur dy miket e mia të vërteta të burgut, Musine Kokalarin, një nga themeluesit e partisë liberale dhe F.S., e njohur dhe e dënuar për bindje demokratike. Pas burgut, internimi ishte gati. Më shpunë në Shtyllas të Fierit. Akoma atje e kam shtëpinë time, ndonëse ka tre vjet që rri te nipërit e mi në Tiranë”.
Arkivi
Në memorien e Arkivit para disa vitesh është gjendur një foto e rrallë e dy studenteve të Universitetit të Romës. Më datën 25.06.1934 kanë dalë në fotografi Musine Kokalari dhe Drita Kosturi. Musine Kokalari dhe Drita Kosturi, dy mike, studente të Universitetit të Romës, e para për letërsi dhe filozofi, e dyta për mjekësi, dy idealiste që donin me shpirt progresin e Shqipërisë së molisun të asaj kohe. Por, kjo nuk “mjaftonte “për regjimin, i cili u dha si “shpërblim” dhjetëra vite burg dhe internim. Megjithëkëtë, qëndresa e tyre ishte dinjitoze. Është e pashembullt sfida që Musineja i bëri trupit gjykues.
“…Unë mendoj ndryshe nga ju, por e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse nuk kam bërë asnjë faj!”- do të shprehej ndër të tjera ajo. Kurse Drita, si mjeke që ishte, u bënte shërbim të burgosurve të sëmurë dhe të tjerëve që dilnin nga qelitë me kocka të thyera…Për këtë ka shkruar me admirim dhe At Zef Pllumi tek “Rrno për me tregue”, ku ndër të tjera fikson në libër dhe një amanet që Padër Pali i len At Zefit për Dritën: “Sakrificat e saj për mue, kurrë nuk do t’i harroj. Po të porosis që, në kjoftë se vjen ndoniherë dita e lirisë, ajo duhet konsiderue si mike e Urdhnit Françeskan”.
Është e çuditshme se si e fejuara e eksponentit të rëndësishëm të komunizmit, Qemal Stafës u arrestua në 1946, bëri 13 vjet burg e pjesën tjetër të komunizmit e kaloi në internim në kampet më të frikshëm e famëkeqë të Shqipërisë. Rrëfimi interesant, i cili na jep edhe detaje biografike, vjen dëshmuar nga Atë Zef Pllumi i cili, në vitet e burgut mëson për të nëpërmjet të burgosurve të tjerë. Një ndër to ishte edhe Padër Pali, një meshtar françeskan të cilin jeta dhe vuajtjet e mëdha nën komunizmin e kishin lodhur shumë. Atë Zefi (i cili akoma nuk qe shuguruar meshtar) si një ndër më të rinjtë në burg, merrej herë pas here me pastrimin e ambienteve aty. “Një ditë shkon të pastrojë dhomën e Padër Palit e nga aty del një vajzë e re.
Në fshehtësi, Atë Zefi e pyet për emrin dhe ajo i thotë se quhej Drita Kosturi. Interesohet ndër të burgosur të tjerë dhe merr vesh se Drita Kosturi ishte e fejuara e Qemal Stafës, në nder të të cilit, në datën e vdekjes së tij misterioze, kujtohen edhe sot dëshmorët e rënë për liri. Kjo gjë ngjall dyshime mos ndoshta ajo ishte e infiltruar për të spiunuar Padër Palin, por çdo dyshim shuhet kur pas disa kohësh e vendosin Atë Zefin në qeli pranë padër Palit. Nëpërmjet vrimave që qenë hapur nga të burgosurit për të komunikuar, ai e pyet Padrin për të dhe Padri i rrëfen një histori të cilën Atë Zefi e kujton kështu: Gjatë torturave të hetuesisë, ai nuk kishte mujtë me durue ma. Nuk ishte puna vetëm për te, kërkojshin ma tepër që ai të merrte në qafë të tjerët. Në nji çast dishprimi, kishte humbë gjykimin, kishte kalue në krizë çmendunie dhe u hodh prej dritare e poshtë. Kishte humbë ndjenjat dhe, mbasi kishte ardhë në vete, nuk mundej me lëvizë: dishka kishte thye. Atëherë ia kishin pru ate vajzë, që kishte studiue në Itali për mjekësi. I kishte shërbye jo sikur Pater Pali t’ishte baba i saj, por sikur t’ishte nji fëmijë i saj”, – thuhet në librin e At Zef Pllumit.