Pavarësisht se zhvlerësimi i euros ka ndikuar në uljen e kostos së produkteve të importuara, çmimet për konsumatorët shqiptarë vazhdojnë të jenë në rritje. Kjo tendencë konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave, të cilat nxjerrin në pah një kontrast të fortë mes çmimit të blerjes nga jashtë dhe çmimit final në tregun vendas.
Gjatë katër muajve të parë të vitit 2024, çmimi mesatar i një kilogrami drith në import ka rënë nga 46.4 lekë në 37.6 lekë – një ulje prej rreth 19%. Megjithatë, kjo rënie nuk është reflektuar në mënyrë proporcionale në treg, pasi çmimi i bukës dhe produkteve të tjera të përpunuara vijon të qëndrojë në nivele të larta.
E njëjta situatë vihet re edhe në tregtinë e frutave dhe perimeve. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, çmimi mesatar i importit për një kilogram zarzavate ishte 72.5 lekë, aktualisht është ulur në 64 lekë, duke shënuar një rënie me afro 12%. Megjithatë, në vend që kjo të çonte në çmime më të ulëta për konsumatorin, frutat dhe perimet janë shtrenjtuar nëpër tregjet e vendit.
Situata nuk ndryshon as në kategorinë e mishit dhe produkteve të tij, përfshirë edhe bulmetin e vezët. Edhe pse çmimet e importit për këto produkte janë në rënie, konsumatorët vijojnë t’i blejnë ato me çmime të larta në supermarkete, dyqane lagjesh apo tregje të hapura.