Paga mesatare mujore bruto për të punësuarit me pagë në Shqipëri arriti në 83.300 lekë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 7.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke konfirmuar vazhdimësinë e tendencës pozitive në tregun e punës. Sektorët me pagat më të larta mbeten financat dhe sigurimet, informacioni dhe komunikacioni, si edhe administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe shërbimet sociale. Po ashtu, mbi mesataren kombëtare qëndrojnë aktivitetet e pasurive të paluajtshme, si edhe profesionet teknike, shkencore dhe shërbimet mbështetëse.
Rritjen më të madhe e ka shënuar sektori i Ndërtimit, me një rritje të fortë prej 12.8%, ndërsa më e ulëta është regjistruar në administratë dhe shërbimet publike, ku paga është rritur me vetëm 3%. Sipas Scan, edhe tek profesionet vërehen ndryshime të dukshme. Mbi mesataren kombëtare paguhen menaxherët, ligjvënësit, drejtorët ekzekutivë, specialistët me arsim të lartë, forcat e armatosura dhe teknikët.
Rritjet më të theksuara janë regjistruar tek zejtarët dhe artizanët, me 10.7%, dhe tek punëtorët e profesioneve elementare, me 10.6%. Ndërkohë, rritjen më të ulët e kanë shënuar specialistët me arsim të lartë, me rreth 5.5%. Krahasuar me një vit më parë, vërehet një ulje e numrit të punonjësve me pagë minimale, por krahasuar me tremujorin e dytë pesha është rritur. Ndërkohë është shtuar kategoria e punonjësve që marrin paga mesatare dhe të larta. Kjo zhvendosje sugjeron një shpërndarje më të balancuar të të ardhurave dhe një strukturë pagash më të orientuar drejt niveleve të mesme dhe të larta.
Nga 1 janari paga minimale 500 euro
Kryeministri Edi Rama ka thënë së fundmi se nga 1 janari 2026 rroga minimale do të ndryshojë dhe do jetë 500 euro, kurse deri në fund të mandatit do shkojë deri në 700 euro. Gjithashtu ai ka konfirmuar se do rriten edhe rrogat e administratës në të gjithë sektorët dhe veçanërisht ato në arsim, shëndetësi, Polici, ushtri dhe më gjerë. Dhe të gjitha këto rritje sipas tij, nuk do të ketë taksim mbi fitimin, siç bëhet në vendet e tjera të rajonit apo Evropës. Për çështjen e pensioneve Rama tha: “Kjo rritje pensionesh nuk ka lidhje me indeksimin. Indeksimi do vazhdojë të bëhet në mënyrë të përvitshme. Dhe duk filluar rritjen e mbështetjes muaj pas muaji për pensionistët, do kemi edhe indeksimin.
Dhe indeksimi parashikohet që në pak vite të arrijë në vlerën 50 mln euro”. Kurse për pagën minimale, ai shpjegoi se prek sektorin publik dhe privat dhe jo vetëm këtë të fundit, teksa shtoi se do bëhet edhe përshkallëzimi apo kategorizimi sipas profilit dhe sektorëve në këtë rritje. “Edhe rroga minimale nga 1 janari do shkojë 500 euro. Nuk do jetë rritje e thjeshtë, por siç e kemi thënë, me premtimin që bëmë para se të merrnim 83 mandate, e themi se në fund të mandatit paga minimale do shkojë 700 euro. Kjo nuk është për administratën, por për sektorin publik dhe privat.
Kjo përcaktohet me ligj, se në Shqipëri nuk do ketë pagë nën 500 euro”, u shpreh kreu i qeverisë. Rama shpjegoi edhe çështjen e rritjes së pagave në sektorin shtetëror: “Po ashtu do rriten pagat për të gjithë punonjësit, sepse kërkon që të bëhen edhe përshkallëzime. Do rriten pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, policisë, ushtarakëve dhe punonjësve të tjerë.
Siç e kemi parë deri më sot, do e shohim edhe në sektorin privat këtë rritje, edhe pse ato s’i rrit qeveria por provat, por ka ndodhur dhe do ndodhë përsëri, do e shohim. Të gjitha këto do bëhen pa prekur dhe pa rritur asnjë taksë. Kemi marrë zotim dhe do i qëndrojmë atij zotimi, që Shqipëria të jetë i vetmi vend në rajon, se në Evropë as bëhet fjalë se taksat janë ku e ku, ku ne bëhemi një vend pa taksë mbi fitimin. Edhe ndaj biznesit të vogël, ku biznesi do paguajë vetëm sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, kontributet, që janë të domosdoshme”, tha kryeministri pak kohë më parë.







