Presidenti amerikan Donald Trump dje në një konferencë për media foli edhe për marrëdhënien e tij me producentin e famshëm muzikor Sean Combs, i njohur si P Diddy.
Pas vendimit të tij për të falur yjet e televizionit Todd dhe Julie Chrisley, gazetarët e pyetën në konferencë nëse po mendon të falë edhe P Diddy-n.
“Njëherë, në vitin 2012, thatë se P Diddy ishte një mik i mirë i juaji atëherë. Që atëherë ai është përfshirë në probleme serioze ligjore. A keni menduar ndonjëherë ta falni?”, e pyeti një gazetar.
Trump tha se deri tani askush nuk e kishte pyetur për këtë, por di që shumë njerëz e kanë menduar këtë mundësi. Më pas ai shpjegoi se çfarë do të bënte.
“Para së gjithash, do të shikoja se çfarë po ndodh aktualisht. Nuk e kam ndjekur shumë këtë çështje, edhe pse sigurisht që ka shumë raportime për të. Nuk e kam takuar dhe nuk kam biseduar me të prej vitesh”, tha Trump.
Më pas vazhdoi të fliste për marrëdhënien e tij me P Diddy-n, duke thënë se kishte dëgjuar se reperi kishte folur keq për të.
“Më parë më donte shumë, por mendoj se marrëdhënia u prish kur kandidova në politikë, bazuar në ato që kam lexuar. Nuk e di, nuk më ka thënë vetë, por papritmas lexoja disa deklarata negative nëpër gazeta. Gjërat ndryshojnë, bëhesh person shumë ndryshe kur futesh në politikë dhe bën atë që është e drejtë. Mund të bëja edhe gjëra të tjera dhe jam i sigurt që ai do të më donte, dhe edhe të tjerë do të më donin, por kjo nuk do të ishte e mirë për vendin tonë. Siç kemi thënë, vendi ynë po ecën shumë mirë për shkak të asaj që bëjmë. Nuk është një garë popullariteti”, vazhdoi ai.
Në fund, Trump përmbylli deklaratën duke thënë se do të shqyrtonte me kujdes faktet.
“Patjetër do të shqyrtoja faktet. Nëse do të zbuloja se dikush është abuzuar, pavarësisht nëse më do apo jo, kjo nuk do të kishte ndikim në vendimin tim”, përfundoi ai.
Për kontekst, Trump ka falur më parë yjet televizivë Todd dhe Julie Chrisley, të cilët në vitin 2022 ishin dënuar për mashtrim fiskal, por u falën këtë javë. Ai u tha gjithashtu vajzës së tyre, Savannah Chrisley, se ka liruar prindërit e saj nga burgu.