Valsi më i njohur në botë “Danubi blu” i Johann Strauss u nis drejt hapësirës ndëryjore, ku tani ndodhen sondat ”Voyager”, dhe të ”magjepsë” yjet për të festuar 50-vjetorin e rrjetit të gjurmimit satelitor ”Estrack” të Agjencisë Hapësinore Evropiane dhe 20-vjetorin e antenës së saj ”Deep Space DSA 2” në Cebreros, Spanjë.
Në imagjinatën kolektive, valsi “Danubi blu” është festuar prej kohësh si himni i hapësirës, veçanërisht falë filmit të vitit 1968 të Stanley Kubrick “2001: A space Odyssey”, por nuk u përfshi në asnjë nga rekordet e artë të ”Voyager”, regjistrime që konsiderohen si një kartëvizitë e Tokës në bordin e dy sondave ”Voyager” të NASA-s, të nisura në vitin 1977 dhe të cilat tani ndodhen në hapësirën ndëryjore.
Për këtë arsye, dje në orën 21:30, vepra e interpretuar nga Orkestra Simfonike e Vjenës në Muzeun e Arteve të Aplikuara (MAK) në Vjenë u transmetua në hapësirë nga antena ”Cebreros” drejt sondës ”Voyager 1” nga antena ESA në Cebreros, Spanjë.
Kjo shënoi gjithashtu 200-vjetorin e lindjes së Strauss dhe 50-vjetorin e ESA-s.