Dashnor Sula, deputeti i PD-së, ka folur nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë ku ka thënë se opozita i humbi zgjedhjet për fajin e saj. Sula tha se lista e mbyllur e PD-së ndikoi negativisht në zgjedhje. Nga ana tjetër, ai ka bërë një thirrje në fund të fjalës së tij për Berishën, që të largohet nga detyra duke hapur garën.
“Faleminderit zonja Kryetare dhe të nderuar kolegë. Nga kjo anë dhe nga ajo anë. Opozita këtu s’ka asnjëri, dhe kjo mund t’ju duket hipokrizi ajo që unë po them, por sinqerisht, ndihem i lumtur që nuk do jem pjesë e një teatri të kësaj salle e cila është shndërruar në një teatër. Ka dy aktorë, që janë ata negativë dhe pozitivë. Që janë negativët pikërisht të opozitës që kanë lënë në harresë demokratët për një rrogë.
Unë sot për herë të parë nuk do flas për Edi Ramën apo për patronazhistët. Nuk dua të bëj atë që kam bërë 4 vite më parë, që t’i vë fajin të tjerëve. Opozita i humbi zgjedhjet për shkak të vetvetes.
Nuk mjafton të thuash “na i manipuluan votat”, ne kemi humbur 256 mijë vota. Problemi nuk është vetëm numri, por besimi i qytetarëve.
136 mijë vota mori lista e hapur e PD-së. Pyetja që kam: sa mori sigla? Ata morën 14 mijë vota. PD siguroi ‘galloshet’ e vjetra në listat e mbyllura.
I drejtohem dhe i them: tërhiqu, mos e prish krijesën që vrave vetë. Prishe karrierën e Sokol Olldashit, edhe atë që bëre në 2021 kur i vodhët kandidatëve votat. Demokratët janë të zgjuar dhe janë të mençur, doktor. Është momenti të shijosh me nipër dhe mbesa kohën që të ka mbetur. Sot po të përsëris thirrjen, doktor, mos i dëgjo më ata që ke rreth vetes.”-tha Sula