Ballina Ekonomia Ulen kostot e mallrave të importuara, rriten të prodhuesve

Ulen kostot e mallrave të importuara, rriten të prodhuesve

49
0

Kostot e mallrave të importuara kanë shënuar rënie në tremujorin e parë të këtij viti. Në të kundërt ka qenë tendenca e prodhuesve që kanë parë një rritje të lehtë të kostove.

Ulet Indeksi i Çmimeve të Importit

Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e parë të vitit 2025, arriti 107,7, kundrejt vitit 2021 si periudha bazë. Krahasuar me tremujorin e parë 2024, indeksi i çmimeve të importit shënoi një ulje me 0,4%, një vit më parë ky ndryshim ishte -1,9%.

Ndryshimi tremujor i indeksit të çmimeve të importit në tremujorin e parë 2025, krahasuar me tremujorin e katërt 2024 ka një ulje prej 0,3%.

Krahasuar me tremujorin e parë 2024, çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan ulje me 5,5%, pasuar nga seksionet “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 1,2%, “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 94,0%, me 0,1%.

Brenda seksionit “Industria përpunuese” ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktiviteteve “Konfeksionimi i veshjeve’’ me 2,1%, pasuar nga “Metalurgjia” me 1,4%, etj. Nga ana tjetër “Industria nxjerrëse” shënoi një rritje me 0,6%.

Rritet lehtë kosto për prodhuesit

Në tremujorin e parë të vitit 2025, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) arriti 129,7, kundrejt vitit 2021 si periudhë bazë. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi rritje vjetore me 0,4% dhe rritje tremujore 0,3%.

Rritja më e lartë vjetore u shënua në seksionin “Energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar ” me 1,0%, e ndjekur nga seksionet “Industri nxjerrëse” 0,7% dhe “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,5%. “Industri përpunuese” shënoi një rritje me 0,03%.

Brenda këtij seksioni, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i mobiljeve” me 2,1%, ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Metalurgji” me 2,4%. IÇP për tregun vendas; Shënoi një rritje vjetore prej 0,7%. Rritja vjetore më e madhe u vu re në seksionin “Industri përpunuese” me 1,1% dhe në sektorin “Energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar” me 0,8%, ndërsa “Industri nxjerrëse” shënoi një rënie prej 1,8%.

IÇP për eksport; Shënoi rritje vjetore prej 0,3%. Rritja më e madhe vjetore u shënua nga seksioni “Industri nxjerrëse” me 2,8%. Ndërkohë, “Industri përpunuese” shënoi një rënie prej 0,2%./ Monitor