Ballina Kulturë Drama, shfaqje teatrore dhe projeksione filmash/ Nis “Java e Kulturës Italiane” në...

Drama, shfaqje teatrore dhe projeksione filmash/ Nis “Java e Kulturës Italiane” në Gjirokastër

11
0

Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës ka mbërritur “Java e Kulturës Italiane”, një program i pasur që solli artin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Një nga aktivitetet më të spikatura ishte shfaqja e dramës “Ndero babanë”, një projekt i përbashkët mes Teatrit “Zihni Sako” dhe Teatrit Publik të Pulias, Itali.

Drama sjell në skenë dy figura të forta femërore: burrneshën shqiptare dhe Franca Violën – gruaja italiane që në vitet ‘60 refuzoi martesën e detyruar. Shfaqja, në tri gjuhë – shqip, italisht dhe anglisht – është një reflektim mbi guximin, lirinë dhe rolin e gruas në shoqëri.

“Është kënaqësi që në skenën e teatrit ‘Zihni Sako’ vjen përsëri një performancë e mrekullueshme e këtyre artistëve shqiptarë dhe italianë, shprehje e bashkëpunimit të dy organizmave shumë të rëndësishëm – Teatrit Publik Puliez dhe Bashkisë Gjirokastër”, tha regjisori Milto Kutali

“Italia dhe Shqipëria janë bashkuar për të treguar këtë histori kaq të bukur. Qyteti i Gjirokastrës është vërtet i mrekullueshëm dhe e shijuam këtë eksperiencë në çdo aspekt”, u shpreh aktorja Ginevra Juni/

Ndërkohë, Lejda Çeli, aktore deklaroi:  ‘Ndero babanë’ është një bashkëpunim mes dy kulturave – ne flasim tri gjuhë dhe sjellim dy histori të ndryshme, por me shumë ngjashmëri që i bashkojnë.

Përveç dramës, “Java e Kulturës Italiane” ofron shfaqje teatrore e projeksione filmash, duke tërhequr edhe turistë italianë që vizitojnë qytetin historik. Këto aktivitete nxisin dialogun mes dy vendeve dhe sjellin më shumë bashkëpunime kulturore në të ardhmen.