Ditën e sotme, në orën 20:45, në stadiumin Air Albania do të luhet ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit.
Ndërkohë me mijëra tifozë kuqezi kanë mbushur sheshet e Tiranës, ku duket se kjo sfidë është kthyer në një ditë feste, ende pa nisur.
Të shumtë janë tifozët që kanë ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në mbështetje të Kombëtares shqiptare.
Ndërkohë mes flamujve kuqezi që kanë ‘veshur’ rrugët e kryeqytetit, te Piramida në qendër të Tiranës është vendosur edhe një parrullë e madhe me mbishkrimin ‘Hasmi i vjetër nuk bëhet mik i ri’.
Kujtojmë se emocionet për këtë ndeshje janë shumë më tepër sesa veçse një sfidë futbolli, marrë shkas nga raportet e tensionuara ndër vite mes Kosovës dhe Serbisë.