Deputetja e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se subjekti i saj tashmë i ka siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë Kurti 3.
Ajo ftoi partitë tjera që ta sfidojë Vetëvendosjen në Kuvend, duke theksuar se disa parti që deri tani kanë qenë në opozitë po e pengojnë me qëllim konstituimin e Kuvendit, sepse siç tha ajo, e dinë se Vetëvendosja e ka shumicën për qeverisje.
Pas dështimit për herë të njëzet e tetë të seancës konstituive që Haxhiu të votohet për kryeparlamentare, ajo tha se janë të hapur që të marrin pjesë në takime të tjera të ftuara nga presidentja e vendit, shkruan KosovaPress.
Haxhiu iu bëri thirrje deputetëve të partive të tjera që të reflektojnë dhe të dalin nga kjo situatë, sepse sipas saj është e pakuptimtë të shkosh në kuvend dhe mos të bësh asgjë.
E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu ritheksoi kundërshtimin e subjektit të saj karshi propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovë për një qeveri të tranzicionit.
Krahas kësaj, Haxhiu përmendi deklarimin e deputetit te PDK, Abelard Tahiri se “Qeveria Kurti është më e dëmshme sesa bllokimi i kuvendit”. Sipas saj, kjo e konfirmon se partitë e tjera me qëllim po e pengojnë konstituimin e kuvendit, sepse e dinë që LVV-ja i ka numrat për krijimin e qeverisë së re.