Ballina Kronika Bilanci i Policisë për muajin Maj/ 625 të arrestuar, 99 operacione dhe...

Bilanci i Policisë për muajin Maj/ 625 të arrestuar, 99 operacione dhe 84 kg drogë

4
0

Policia e Shtetit ka ndarë sot të dhënat e punës së kryer gjatë muajit maj 2025. Sa i përket aspekteve të punës policore, gjatë muajit që sapo lamë pas, rezulton se:

– janë finalizuar 99 operacione policore;

-janë finalizuar 34 operacione policore ndërkombëtare;

-kanë vënë në pranga 625 autorë të dyshuar veprash penale;

– janë sekuestruar 50 armë zjarri dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak; rreth 84 kilogramë cannabis, qindra doza të kësaj lënde dhe të lëndës narkotike kokainë, si dhe 2861 fara cannabisi; para dhe pasuri me burime të dyshimta kriminale në vlerë totale rreth 415 000 euro, mallra të kontrabanduara, antiplumb, silenciatorë, dokumente dhe para false;

– janë asgjësuar në kuadër të megaoperacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, 8269 bimë/fidanë cannabisi;

– në Tiranë dhe në Shkodër, gjatë 3 operacioneve, janë arrestuar 13 shtetas, të cilët, të organizuar si grup ose individualisht, trafikonin ose shitnin armë për llogari të grupeve kriminale;

0puna operative dhe operacionale e Policisë së Durrësit dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale çoi në pranga 7 shtetas (3 prej tyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore), të cilët qëndronin së bashku në ambientet e një restoranti, me armë zjarri të gatshme për qitje;

– është parandaluar përshkallëzimi i 8 konflikteve, disa prej tyre në familje dhe/ose me armë zjarri;

-janë zbardhur 10 ngjarje kriminale që përfshijnë shpërthim me eksploziv, plagosje, vetëplagosje me armë zjarri të mbajtura pa leje, djegie të qëllimshme të automjeteve dhe aksidente rrugore ku drejtuesit e automjete janë larguar nga vendi i aksidentit;

-është zbuluar 1 banesë e përshtatur për kultivim me llamba të bimëve narkotike, në Fier, si dhe një 1 “call center” në Tiranë, ku kryhej mashtrim kompjuterik;

-janë finalizuar 22 operacione për zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale;

– janë goditur 13 raste të tentativës për të transportuar mallra të kontrabanduara, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar;

-janë finalizuar 2 operacione kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe 2 operacione kundër transportimit të emigrantëve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit;

– Policia e Qarkut Vlorë iu ka dhënë ndihmë në 4 raste, shtetasve  të huaj dhe shqiptarë që gjendeshin në vështirësi, si pasojë e terrenit dhe/ose kushteve të motit;

-janë trajtuar, në bashkëpunim me institucione të tjera kompetente, 181 raste të dhunës në familje dhe 217 krime kundër mjedisit.