Ballina Ekonomia Buxheti 2025 ndryshon sërish, 3 miliardë lekë i shkojnë AKSHI-t, 3.3 miliardë...

Buxheti 2025 ndryshon sërish, 3 miliardë lekë i shkojnë AKSHI-t, 3.3 miliardë shtesë AKSK për inteligjencën artificiale

32
0

Më pak se një javë pasi Kuvendi votoi Aktin Normativ për ndryshime në Buxhetin 2025 për të financuar me 10 milionë dollarë startupin e Mira Muratit, ekofin.al mëson se buxheti do të ndryshojë sërish, këtë herë për të realizuar disa rialolikime fondesh.

Rishikimi i buxhetit me akt normativ parashikon në total 11.8 miliardë lekë që rialokohen, të pashpenzuara deri tani nga  ministritë/institucionet, drejt prioriteteve të reja, kryesisht në fushën e sigurisë kibernetike dhe projekteve të zhvillimit infrastrukturor.

Financat pranojnë se “zbatimi i buxhetit është ndikuar ndjeshëm nga situata zgjedhore, e cila ka shkaktuar ngadalësim në ritmet e zbatimit të projekteve, realizimin e shpenzimeve dhe veçanërisht në procedurat e prokurimit publik. Kjo situatë ka sjellë devijime nga planifikimi fillestar dhe nevojën për rishikime.

Një nga ndryshimet e ndërmarra ka të bëjë me zhvendosjen e fondeve të parashikuara për projekte IT në ministri/institucione dhe transferimin e tyre tek AKSHI. Në total bëhet fjalë për rreth 3 miliardë lekë fonde.

Sipas informacioneve që disponon ekofin.al, të ardhurat e përgjithshme dhe totali i shpenzimeve të përgjithshme nuk ndryshon, pasi mbulohet me kursimet e evidentuara. Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (AKSK) do të përfitojë 3.3 miliardë lekë shtesë për produkte teknologjike IA për sigurinë kibernetike. Gjithashtu edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfiton rreth 1.5 mld lekë shtesë për projekte të reja zhvillimi. Fonde shtesë ka edhe për një sërë institucionesh, ndërsa ka rishpërndarje brenda për brenda zëra të veçantë për Ministrinë e Mbrojtjes, të Arsimit dhe Shëndetësisë.

Deficiti buxhetor, pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, mbetet i pandryshuar në nivelin 68 052 milionë lekë, e për rrjedhojë, as borxhi publik nuk ndryshon./ Ekofin.al