Ballina Kulturë Përgjigjja ime për Dostojevskin

Përgjigjja ime për Dostojevskin

14
0

Nga Lis Bukuroca

“Në rrugën ku jeton ti, jetojnë nëntë gra më të bukura se ti, shtatë të tjera më të gjata se ti dhe nëntë me të shkurtra se ti. Është edhe një tjetër që më dashuron më shumë sesa ti. Në punë është një grua që më buzëqesh gjithmonë, një tjetër më nxit të bisedoj me të, ndërkohë që kamarierja ma ëmbëlson çajin me mjaltë në vend të sheqerit. E megjithatë, unë të dua vetëm ty.”

Teksa dergjej në shtrat, Dostojevski i pëshpëriti në vesh: “Nuk të kam tradhtuar as edhe me mendime.”

Përgjigjja ime:

Nëse në rrugën ku jeton ti gjenden nëntë gra më të bukura se ajo, atëherë nuk je i dashuruar. I dashuruari nuk shikon rreth e përqark për të krahasuar bukurinë — për të ekziston vetëm një fytyrë, një siluetë, një shikim që i përmbledh të gjitha. Kur dashuron, nuk e sheh më botën me sy krahasues, sepse ajo është tashmë e tejkaluar nga një ndjenjë më e madhe. Pse? Sepse dashura është ndjenjë, ndjesi absolute dhe nuk pranon alternativa, as kompromise.

Më të gjatat dhe më të shkurtrat nuk kanë rëndësi. Gjatësia matet në centimetra, dashuria në thellësi, me emocione. Dhe, i dashuruari nuk mat gratë.

Ajo që të buzëqesh në punë nuk do të thotë që të dëshiron. Buzëqeshja shpesh është miqësi, ndonjëherë edukatë, por jo gjithmonë dashuri. Kamarierja që ta ëmbëlson çajin me mjaltë nuk është një shenjë dashurie, mund të jetë shenjë respekti dhe profesionalizmi.

Nëse vërtet e doje vetëm atë, nuk do të kishe bërë një listë me alternativat që të rrethonin. Dhe nëse e ke martuar për interes — për rehati, siç ndodh shpesh, sepse sapo qe kthyer nga internimi i Siberisë dhe po kaloje çaste të rënda, kërkove siguri, mbështetje.

E nëse ajo të ka tradhtuar, siç thuhet, ndoshta as ajo nuk kishte gjetur dashurinë e vërtetë…

Në citatin vijues, e quan me karakter të sëmurë dhe tregon se nuk iu kishte lidhur dashuria e madhe, por nevoja dhe vuajtja e madhe e përbashkët po iu lidhte mes vete. Kjo është empati e madhe, nevojë e madhe, jo dashuri.

E dëshmon në fillim, e dëshmon në fund. Sepse gjendej një “që më dashuron më shumë sesa ti.” Domethënë, ajo nuk të donte sa duhet — por as ti nuk e doje atë, sepse kur jemi të dashuruar, njeriu që duam është më i bukuri në botë, jo i teti, i nënti apo i dhjeti!

Dostojevski, nëse unë nuk mund të martohem me të parën, do ta prisja për ta gjetur atë, nëse nuk e gjeja, do t’isha munduar ta pushtoja të dytën, por kurrë jo atë në fund të radhës!

“Ah, miku im, ajo më donte pa masë, edhe dashuria ime për të ishte e pakufishme, por ne nuk ishim të lumtur…

Ajo kishte një karakter të pasionuar, dyshues, të sëmurë dhe prirej ndaj fantazive, por nuk mund të shkëputeshim nga njëri-tjetri; sa më të palumtur që ishim, aq më fort kapeshim pas njëri-tjetrit. Kjo mund të tingëllojë çuditshëm, por ashtu ishte. Ajo ishte gruaja më e ndershme dhe më bujare që kam takuar ndonjëherë në jetën time.”

Maurina, Zenta; Dostojewskij, Maximilian Dietrich Verlag 1952