Ballina Politika Rama fut në ‘shkollë verore’ gjeneratën e re të deputetëve socialistë, trajnim...

Rama fut në ‘shkollë verore’ gjeneratën e re të deputetëve socialistë, trajnim intensiv për ligjvënien dhe integrimin

16
0

Vendimi i Partisë Socialiste për të rifreskuar ndjeshëm grupin parlamentar me figura të reja, pa histori politike të mëparshme, ka sjellë me vete edhe sfidën e trajnimit të tyre. Për këtë arsye, Akademia Politike e PS këtë herë nuk do të jetë një platformë për ata që synojnë të hyjnë në politikë, por për ata që tashmë janë pjesë e saj, pasi kanë fituar një mandat deputeti.

Në total, 53 deputetë që ulen për herë të parë në Kuvend, mes të cilëve edhe 9 ministra aktualë, do të ndjekin trajnime intensive për t’u familjarizuar me procedurat legjislative, sjelljen parlamentare dhe të drejtat e detyrat që u garanton Kushtetuta. Shkolla verore për këta deputetë të rinj do të nisë më 20 qershor.

Sipas burimeve të Report TV, “kursi” do të zhvillohet çdo fundjavë në selinë rozë dhe do të zgjasë deri në fund të muajit korrik. Lektori i parë i deputetëve të rinj do të jetë vetë kryeministri Edi Rama. Deputetë me eksperiencë si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Niko Peleshi, si dhe ish-drejtues të lartë të Kuvendit dhe të grupit parlamentar socialist, do të ndajnë me ta përvojën e tyre të drejtpërdrejtë.

Qëllimi i trajnimeve është që deputetët e rinj të kuptojnë rolin e tyre kushtetues dhe të mësojnë si ndërtohet një marrëdhënie e qëndrueshme me elektoratin, pasi shumica e tyre kanë hyrë në Kuvend përmes listave të mbyllura.

Një tjetër sesion i rëndësishëm do të fokusohet në procesin e integrimit evropian dhe përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ku leksionet do të mbahen nga ministrja Adea Pirdeni dhe ish-ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

Deputetët e rinj do të kalojnë një verë intensive me trajnim, përpara se në shtator të ulen për herë të parë në Kuvend, të lirë nga ngarkesa personale, por me përgjegjësi të plotë ndaj Partisë Socialiste, që do të qeverisë vendin për të katërtin mandat radhazi.