Ballina Ekonomia Rrugët e Shqipërisë bëhen “të gjelbra”, 1,665 mjete elektrike hynë në vend...

Rrugët e Shqipërisë bëhen “të gjelbra”, 1,665 mjete elektrike hynë në vend në 5 muaj

19
0

Dominimi i mjeteve “GREEN” po rritet me ritme të shpejta në qarkullimin rrugor në Shqipëri. Të dhënat më të fundit të periudhës Janar–Maj 2025 tregojnë një orientim gjithnjë e më të dukshëm të qytetarëve drejt mjeteve elektrike dhe hibride.

Vetëm në pesëmujorin e parë të këtij viti, janë regjistruar 1,665 mjete 100% elektrike në vendin tonë, një rritje me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po ashtu, 23.5% e të gjitha mjeteve të reja të regjistruara për herë të parë janë plotësisht elektrike. Në total, flota e automjeteve All-Electric në vend ka arritur në 8,043 njësi, duke shënuar një rritje prej 26% krahasuar me vitin 2024.

Ndërkohë, 50.2% e autoveturave të reja me 0 kilometra të regjistruara për herë të parë janë elektrike ose hibride plug-in, një tjetër tregues i qartë i orientimit të tregut drejt mjeteve me emetime të ulëta ose zero.

Nga ana tjetër, 73.5% e autoveturave të regjistruara gjatë kësaj periudhe përmbushin standardet Euro 5 ose më të larta, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit dhe nivelin e sigurisë mjedisore.

Kjo prirje e re ka dhënë edhe një ndikim të rëndësishëm mjedisor, pasi sipas DPSHTRR falë këtyre regjistrimeve, Shqipëria ka kursyer 10.6 milionë kg CO₂ në vit. Përkthyer në mënyrë simbolike, kjo do të thotë “353 mijë mushkëri ambientale më të pastra”, informon DPSHTRR.