Ballina Politika Deklarata e Ramës, Gjykata Kushtetuese: Vendimet tona janë të pavarura, çdo përpjekje...

Deklarata e Ramës, Gjykata Kushtetuese: Vendimet tona janë të pavarura, çdo përpjekje për ndikim është e papranueshme

48
0

Gjykata Kushtetuese ka reaguar sot pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama lidhur me kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave me 700 euro. Përmes një njoftimi për shtyp, Gjykata thekson se mbetet e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe nuk ndikohet nga pushtetet e tjera apo reagimet publike.

Në deklaratë, Gjykata Kushtetuese thekson se, megjithëse vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, është e papranueshme çdo formë ndërhyrjeje apo ndikimi në veprimtarinë e saj. Sipas saj, përpjekjet për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e institucionit cenojnë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjen e pushteteve.

Në reagimin zyrtar thuhet:
“Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.”

Gjykata e konsideron të papranueshme çdo tentativë që mund të cënojë besimin e publikut ndaj saj:
“Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.”