Irani kërcënoi të mërkurën se do të shënjestrojë bazat ushtarake amerikane në rajon nëse shpërthen konflikti, ndërsa Presidenti Donald Trump tha se ishte “më pak i sigurt” për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore.
Mes tensioneve në rritje, një zyrtar amerikan tha se nivelet e stafit në ambasadën në Irak po reduktoheshin për shkak të shqetësimeve të sigurisë, ndërsa Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar, të drejtuara nga marina britanike, këshilluan anijet të kalonin me kujdes nëpër Gjirin Persik.
Teherani dhe Uashingtoni kanë zhvilluar pesë raunde bisedimesh që nga prilli për të hartuar një marrëveshje të re bërthamore që do të zëvendësonte atë të vitit 2015 që Trump e braktisi gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018.
Që prej rikthimit në detyrë në janar, Trump ka ringjallur fushatën e tij të “presionit maksimal” ndaj Teheranit, duke mbështetur diplomacinë bërthamore, por duke paralajmëruar për veprime ushtarake nëse kjo dështon.
“Të gjitha bazat e saj janë brenda mundësive tona, ne kemi qasje në to dhe pa hezitim do t’i shënjestrojmë të gjitha ato në vendet pritëse”, tha Ministri i Mbrojtjes i Iranit, Aziz Nasirzadeh, në përgjigje të kërcënimeve të SHBA-së për veprime ushtarake nëse bisedimet dështojnë.
“Me vullnetin e Zotit, gjërat nuk do të arrijnë në atë pikë dhe bisedimet do të kenë sukses”, tha ministri, duke shtuar se pala amerikane “do të pësojë më shumë humbje” nëse do të vijë në konflikt.
Shtetet e Bashkuara kanë baza të shumta në Lindjen e Mesme, me më të madhen e vendosur në Katar.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara kohët e fundit janë përfshirë në një ngërç diplomatik mbi pasurimin e uraniumit nga Irani, me Teheranin që e mbron atë si një të drejtë “të panegociueshme” dhe Uashingtonin që e quan atë një “vijë të kuqe”.
Trump kishte shprehur më parë optimizëm për bisedimet, duke thënë gjatë një turneu në Gjirin Persik muajin e kaluar, Uashingtoni po “i afrohej” sigurimit të një marrëveshjeje.
Por në një intervistë të botuar të mërkurën, Trump tha se ishte “më pak i bindur” se Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të arrinin një marrëveshje, në përgjigje të një pyetjeje nëse besonte se mund ta ndalonte Teheranin nga pasurimi i uraniumit.