Të gjithë individët apo subjektet që japin apartamente me qira përmes platformave Booking dhe AirBnB përgjatë këtij sezoni turistik veror do të monitorohen me qëllim deklarimin e plotë të xhiros dhe pagesën e detyrimeve tatimore.
Në planin e turizmit 2025 i cili ka nisur nga zbatimi, administrata tatimore programon monitorimin dhe analizimin e subjekteve në platformat Booking, AirBnB për pëcaktimin e çmimeve që ofrojnë strukturat akomoduese duke bërë krahasimin me sistemin e fiskalizimit.
Nga ana tjetër do të bëhet edhe verifikimi në terren i subjekteve të identifikuara me risk përgjatë periudhës Qershor -Shtator si dhe monitorimi dhe raportimi i rasteve te ndryshme te denoncuara.
Gjatë këtij viti administrata tatimore shqiptare ka nisur një bashkëpunim me administratën tatimore irlandeze për investigimin e individëve që përfitojnë të ardhura nga platformat Booking dhe AirBnB dhe nuk i deklarojë ato. Ndërsa u ka kërkuar individëve që të bëjnë deklarimet përkatëse përmes DIVA-s.
Të dhënat nga tregu i strukturave akomoduese me qira afatshkurtër tregojnë aktualisht në platforma të ndryshme rezervimi, figurojnë mbi 18 200 njësi me qira afatshkurtër aktive.
Tashmë qiratë afatshkurtra janë kthyer në një biznes të mirëfilltë për shumë individë të cilët marrin me qira afatgjatë struktura të ndryshme dhe më pas i japin me qira ditore, ndërsa një e ardhur ekstra për një segment tjetër qytetarësh të cilët kanë një apartament në pronësi në të cilin nuk banojnë dhe e punojnë atë përmes platformave Booking dhe AirBNB.
Fitimet në këtë rast janë të ndryshme për ata që e kanë si biznes, pasi kostot janë të shpërndara dhe më të ulëta, dhe për ata individë që kanë vetëm një strukturë./scan