Një tjetër valë dhune ka përfshirë Bolivinë, ku janë regjistruar përplasje të ashpra ndërmjet përkrahësve të ish-presidentit Evo Morales dhe forcave të rendit. Sipas raportimeve, të paktën dy efektivë policie kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra persona të tjerë janë lënduar si pasojë e përplasjeve.
Incidentet ndodhën në qytetin minerar Yayagua, në rajonin Potosi, ku protestuesit kishin bllokuar një aks rrugor, ndërkohë që policia po përpiqej të rivendoste qarkullimin. Përplasjet e së martës rezultuan me plagosjen e 17 personave, përfshirë edhe dy oficerë policie.
Presidenti aktual i Bolivisë, Luis Arce, njoftoi të mërkurën se një operacion i përbashkët midis ushtrisë dhe policisë do të ndërmerrej për të larguar bllokadën nga një arterie kryesore në pjesën qendrore të vendit, duke paralajmëruar edhe aksione të tjera në vijim.
Që prej 2 qershorit, protestuesit besnikë të Morales kanë bllokuar një sërë rrugësh në rajonet ande, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Arce. Ata e akuzojnë atë për përkeqësimin e situatës ekonomike dhe për ndërhyrje në sistemin gjyqësor dhe atë zgjedhor, në mënyrë që të pengojë kandidimin e Morales në zgjedhjet presidenciale të 17 gushtit.