Ballina Lifestyle James Nelson-Joyce shpreh dëshirën për rolin e James Bond dhe ëndërron të...

James Nelson-Joyce shpreh dëshirën për rolin e James Bond dhe ëndërron të luajë George Best në një film biografik

13
0

Aktori James Nelson-Joyce, ylli i serialit të BBC-së “This City Is Ours”, ka komentuar me humor dhe sinqeritet mbi mundësinë për të qenë James Bond-i i ardhshëm, gjatë një interviste në podcastin e ri të futbollit të ‘The Mail, Whistleblowers’.

“Do të doja shumë të isha James Bond”, tha ai përballë prezantuesve Gordon Smart, ish-gjyqtarit Mark Clattenburg dhe redaktorit të Mail Football, Ian Ladyman.

“Nuk jam një nga ata aktorë që thonë: ‘Nuk e di’. Po, e dua atë rol. Por është një nivel tjetër. Një botë tjetër”.

Prej largimit të Daniel Craig pas ‘No Time to Die’ (2021), emra të rinj britanikë janë përfolur si pasues të tij, ndërsa Amazon tashmë ka marrë të drejtat për filmin e radhës, i cili pritet në vitin 2026. Nelson-Joyce është shfaqur si një nga pretendentët surprizë, me agjencitë e basteve që i japin atij një shans 6/1 për ta fituar rolin, shkruan DailyMail.

I pyetur nëse do t’i sillte një “tingull të Merseyside” karakterit, ai u përgjigj: “Po, pikërisht këtë do të bëja”.

Më pas, aktori nga Liverpooli interpretoi disa nga vargjet klasike të Bondit me theks të fortë lokal, duke e kthyer momentin në një nga pikat më argëtuese të episodit.

Nelson-Joyce është bërë i njohur për rolet e tij të errët në seriale si “The Nest” dhe “Time”. Së fundmi ai ka luajtur në dramën “This City Is Ours”, përkrah Stephen Graham, një tjetër aktor nga Liverpooli, të cilin e konsideron si nxitës të karrierës së tij.

Përtej Bondit, aktori ka një tjetër ëndërr: të luajë legjendën e Manchester United, George Best. “Jam i çmendur pas futbollit dhe ai ishte një lojtar i mrekullueshëm – por gjithashtu një figurë e jashtëzakonshme jashtë fushës. Ka një histori të madhe që pret të tregohet – mjafton të gjejmë shkrimtarin e duhur”, tha ai.

‘Whistleblowers’, podcasti i ri i ‘The Mail’ në bashkëpunim me Wickes TradePro, eksploron historitë e fshehta të botës së futbollit – nga dhomat e gjyqtarëve te kulisat e klubeve – përmes zërave që e njohin lojën nga brenda.