Ballina Kulturë Skulptori Idriz Balani, përherë i frymëzuar nga shqiptaria

Skulptori Idriz Balani, përherë i frymëzuar nga shqiptaria

17
0

Nga Meçan Hoxha 

Skulptori Idriz Balani, tashmë është bërë një emër i njohur në trevat shqiptare dhe në diasporë. E gjen gjithmonë duke nxituar, herë me makinë, herë në këmbë e më shumë në biçikletë. Përherë i përqëndruar diku, ndaj s’i premton koha të dëgjojë biseda të gjata e të vrasij kohën nëpër kafene. I përshëndet shokët, i qeras dhe u kërkon leje se e ka një ngutje. Ngutja e tij e përhershme është dalta e çekiçi, që i bëjnë realitet idetë dhe projektet e tij artistike në skulpturë. Kanë rrugëtim të gjatë, në kohë e në rritje, ato ide e projekte. Filluan me rërë në buzë të detit, kur ishte fëmijë, me një nimfë prej rëre, për të mbrritur në çdo cep të Shqipërisë, në Kosovë, Çamëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e më tutje në Itali, Zvicër, Francë, Belgjik, Gjermani, Greqi, Rumani, deri në Amerikë.

Për të pushtuar gjithë këto sheshe, galeri  e salla ekspozimi, i është dashur të ecij, ashtu me nxitim, i lodhur e hera herës pa gjumë, për rreth 60 vjetë, aq sa kërkohet për të dalë në pension. Por Idrizi, edhe tani që është mbi 70 vjeç, nuk e njeh fjalën pension. Ai vazhdon të ecij me të njëjtin ritëm e, me më shumë profesionalizëm për të realizuar ide e projekte gjithmonë më të mëdha. Falë talentit, vullnetit e përkushtimit është ndjerë gjithmonë i arrirë, i suksesshëm dhe i gëzuar. Përvoja e gjatë dhe e suksesshme në rrugën e artit pamor i ka krijuar bindjen, se puna dhe menaxhimi i kohës janë faktorë suksesi. Këtë tha dhe kur e propozuan për Kryetar të Klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit: ”Më mirëkuptoni. Dua, me gjithë shpirt, t’i shërbej Klubit, po më mungon koha e duhur për atë angazhim”.

Idriz Balani u lind në Konispol, më 3 tetor 1953. Në vitin 1954 familja e tij u vendos në Plazhin e Durrësit, ku jeton edhe sot. Aty mbaroi arsimin 8-vjeçar. Atë profesional, të mesëm e të lartë i kreu në Tiranë. Më 1980, viti i diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve në degën “Skulpturë Monumentale”, nisi punën së bashku me kolegët, Vasiliev Nini dhe Makri Mustaka, pranë “Skulptorit të Popullit” Mumtaz Dhrami, për realizimin e monumentit të Drashovicës. Më pas ka punuar mësues i skulpturës dhe lëndëve të tjera profesionale në Liceun Artisitik “Jan Kukuzeli”, në qytetin e Durrësit. Gjatë vitit 1988-1989, mbaroi kursin pasuniversitar për kritikë – artistike. Si shumë shqiptarë të tjerë, provoi rrugën e kurbetit, duke emigruar në Greqi. Atje fitoi përvojë për ekonominë e tregut, po dhe besim te vehtja, se me talentin e tij mund të ishte më i suksesshëm në Shqipëri. U kthye dhe hapi një aktivitet për përpunimin e mermerit dhe granitit në qytetin e Durrësit, të cilin e ka edhe sot. Për këta tregues të Idrizit është folur e shkruar shpesh nga publicistë, shkrimtarë e kolegë. Të gjithë rrëfejnë njeriun e talentuar e të suksesshëm në punë, por Idrizi e ka shtuar marshin e shpejtësisë drejt punëve të tjera dhe më të mëdha, ndaj për të do të shkruhet në vazhdimësi.

E filloi me shokët e vegjëlisë në një shesh buzë detit, pa e ditur se po niste rrugën drejt studiove, sallave të ekspozitave, galerive deri te ky që shohim sot: “Muzeu i veprave të realizuara prej tij”.

Ne e takuam pikërisht te ky muze, një kat sipër studios, apo “punishtes” siç e quan ai , ku marrin jetë e bëhen realitet idetë e projektet e artit në skulpturë. “Punishtja” e tij është një atelie mjaftë e përshtatëshme dhe komode për të realizuar punime të madhësive të ndryshme në skulpturë,  deri dhe shtatore të larta, mbi katër metra. Ndjehet krenar për ç’ka arrirë dhe nuk e fsheh.

– Mirëseerdhët, më gjetët në Odën e miqëve! Dhe vazhdon të rrëfejë pse e quan “Odë të miqëve”. Aty ka vendosur portretet, bustet dhe shtatoret e njerëzve më të shquar të Kombit tonë. Pasi ka folur e biseduar me muaj e ndofta me vite me ta, i ka veshur bukur dhe i ka vendosur në Odën e miqëve. Duke pirë kafe në shoqërinë e tyre në atë mjedis, relaksohet e frymëzohet nga bëmat e secilit. Shqiptarët më të shquar “pijnë” kafe me Idriz Balanin. Janë mbledhur në një odë: Skënderbeu, Naim Frashëri, Ismail Qemali, At Gjergj Fishta, Fan Noli, e me radhë fibgura të tjera të shquara për shqiptarizëm. E ndjek këtë shqiptari në trojet amtare dhe ka sjellë në Odën e tij Haxhi Zekën, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Ibrahim Rugovën, Jusuf Gervallën, Adem Jasharin etj. Nga Çamëria, bashkë me poetin e shquar Bilal Xhaferri, ka sjellë dhe valltarët e valles së famshme të “Osman Takës”. Valltarët e saj, me plastikën koreografike dhe historinë që bart valleja, janë qeshia mbi tortë në atë Muze.

– “Formimi im në periudhën që kaluam, por edhe origjina familjare çame, si dhe bisedat për masakrën çame, më kanë orientuar drejt temave historike”. – Shprehet Idrizi. Ato që ndjen i ka kthyer në realitet, me punë të paprerë në një jetë të tërë.

Në Muzeun Privat, me skulpturat e Idriz Balanit, ndihet erë shqiptarizëm. Sapo ngjit shkallët dhe shikimi kap gjithë ato vepra arti të realizuara me mjeshtëri, njëherazi sheh historinë e popullit tonë, sheh Kosovën, Çamërimnë e shqiptarët kudo që ndodhen. Ndalesh përpara busteve e shtatoreve të heronjëve të luftës, të punës e të diturisë dhe frymëzohesh nga madhështia e kontribuesve të shquar të popullit shqiptar. Ka të drejtë kur thotë, se këta janë miqtë më të nderuar të Odës së tij, pranë të cilëve pi kafenë çdo ditë, bisedon me ta, qan hallet dhe angazhohet, se vepra e tyre do të jetë gjithmonë frymëzim për një Shqipëri të lirë e të përparuar, siç e ëndërruan ata që nuk kursyen as jetën. Aty ka vendosur krijimtarinë e tij në mermer, allçi e bronx, kushtuar njerëzve më të shquar të Kombit tonë dhe aty frymëzohet nga bëmat e tyre.

Puna krijuese në artin e skulpturës ka qenë ëndrra dhe pagjumësia e Idrizit. Kultura profesionele dhe talenti ja kanë mbajtur përherë zgjuar fantazinë. Atdhetaria është limfa, që nuk ka shteruar kurrë në veprat e tij. Atje, në shkollën e Ishmit, ku u emrua mësues, punoi për bustin e heroit Rexhep Mezinin, emrin e të cilit mbante shkolla. Ashtu bëri me triptikun në basoreliev, vendosur në fasadën e shkollës së Mesme të përgjithshme “Leonik Tomeo”. Vazhduan me radhë basorelieve, buste e monumente, që zbukuruan hapsira të shumta mjedisore. Me bashkautor, Dhimitër Harallambi, realizoi Lapidarin Monumental kushtuar partizanëve të zonës së Kavajës, vendosur në fshatin Çetë të Kavajës. Më pas punoi e realizoi bustin e “Heroit të Popullit”, Kozma Nushi, vendosur në lulishten para Fabrikës së Gomës në Shkozet, bustin e dëshmorit Telat Noga në lulishten para Fabrikës së cigareve në Durrës, bustin e Rilindasit të shquar “Naim Frashëri”, në oborrin e Shkollës së mesme të përgjithshme me të njëjtin emër në Durrës, si dhe shumë portrete në mermer e gur të cilët janë në galerinë e qytetit.

Pyetjes së një gazetari, se cila është skulptura që çmon më shumë, i është përgjigjur: “Më thuaj një nënë, që mund të ndajë fëmijët e vetë. Nuk mund të zgjedh mes tyre, por vendosja e bustit të Isa Boletinit në vendin e tij të lindjes, më ka venë përballë një momenti të vështirë, pasi për të ishin bërë vepra edhe nga skulptorë të tjerë. Për atë  skulpturë, ideja më lindi nga një moment familjar, që e cilësoj si një moment shumë emocionues”.

Puna krijuese, në të gjitha fushat, në letërsi, muzikë, dramë e art pamor është një sakrificë e madhe,  deri e dhimbëshme për t’a përballuar, sidomos ekonomikisht. Puna krijuese është mision atdhetarie e progresi i talenteve të çdo populli, ndaj ndihmesa e shoqërisë dhe shtetit për të, është domosdoshmëri. Krijuesit e kanë thirrje të brendëshme veprimtarinë e tyre krijuese. I përkushtohen asaj ditë e natë, duke sakrifikuar jo vetëm nga vehtja po dhe nga familjet. Po, ndërsa familjet u bëhen krah krijuesve në rrugën e tyre të vështirë, shoqëria, me keqardhje më duhet t’a them, që është indiferente. Shteti po ashtu. Vite më parë, Roza Luksenburg, pati thënë: ”Artisti ngjan me zogun. Po e përkëdhele këndon, po e shtrëngove ngordh”. Varfëria dhe pamundësia ekonomike është më tepër se shtrëngim.

E trajtova kështu, se edhe te veprimtaria krijuese e Idrizit, është i dukshëm ky fenomen. Shpenzimet për Atelien, për lëndën e parë dhe për realizimin material të skulpturave, janë një faturë, që e ka përballur pa asnjë ndihmë prej shtetit. Ashtu ka bërë edhe me Muzeun Privat, që vetëm salla ku do të qëndrojnë veprat më të mira të Idrizit, kushton më shumë se dy hyrje të zakonshme. E megjithatë Idrizi e anashkalon këtë siklet dhe rrëfen për punën, motivet që e frymëzojnë, dëshirat dhe projektet e së ardhmes.

Bilanci i deritanishëm i punëve më serioze të realizuara nga skulptori Idriz Balani është:

Busti monumental i dëshmorit “Telat Noga “, vendosur në lulishten para ish fabrikës së cigareve Durrës, ku është edhe sot. Basorelievi kushtuar “Shkollës së pare shqipe “ në Ishëm, vendosur në fasadën në hyrje të shkollës. Busti i atdhetarit Sheh Adem Roda, në Ishëm. Busti  monumental i “Heroit të Popullit “ Kozma Nushi,  vendosur në hyrje të ish fabrikës  së Gomës, Shkozet Durrës. Busti i Rilindasit të shquar Naim Frashëri,  vendosur në oborrin e shkollës së Mesme, që mban emrin e tij. Portreti në mermer i atdhetarit Çam, Muharrem Rushiti, në Galerinë e Arteve të qytetit Durrës. Në bashkëpunim me skulptoren Liljana Çika, ka realizuar basorelievin monumental triptik “Mësim Punë Kalitje“, i cili është vendosur në fasadën e Shkollës së Mesme të përgjithëshme “Leonik Tomeo“, në Durrës. Në bashkëautorësi me skulptorin Dhimitër Harallambi, ka realizuar monumentin kushtuar “Çetës së Kavajës“. Vepra skulpturore kushtuar “Skulptorit të Merituar“ Sabri Tuçi, vendosur  pranë murit rrethues mesjetar të Kalasë së Durrësit. Në fshatin Ninat, Sarandë, busti i poetit disident Çam, Bilal Xhaferri, pranë muzeut, që ndërtoi familja e tij. Në komunën Ishëm të rrethit Durrës, busti i Klerikut Atdhetar Sheh Adem Roda. Në qytetin e Fierit, busti i ambasadorit Richard Holbrooke (kopje e asaj të Vitisë, të cilat janë realizuar me inisiativë të Misionit Diplomatik, për “Paqe dhe Prosperitet”).  Në bashkëpunim me skulptorin Qazim Kërtusha, ka realizuar monumentin e atdhetarit Haxhi Zeka, vendosur në qytetin e Pejës , Kosovë. Nga punimet e Idrizit janë vendosur në Pejë edhe: Busti i Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, në Sallën e Kuvendit Komunal; busti monumental  i intelektualit e atdhetarit të shquar Jusuf Gërvalla; në bashkëpunim me skulptorin Qazim Kërtusha, busti i Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vendosur në oborrin e Shkollës, që mban emrin e tij në fshatin Blinisht; busti monumental  i atdhetarit e intelektualit, “Hero i Kombit“, Enver Hadri; busti i akademikut Prof. Dr. Ali Hadri; busti (tors) i atdhetarit, njërit nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë, Bedri Pejani, vendosur në oborrin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme, që mban emrin e tij. Busti në mermer i “Heroit të Kombit”, Agim Ramadani, në Qendrën rekreative “Katana” (që është dhe nofka e tij në luftë), Obiliq, Prishtinë. Në një nga sheshet e Mitrovicës, shtatorja e Isa Boletinit (kopje). Në oborrin e kullës së tij në Prekaz, shtatorja e atdhetarit dhe luftëtarit, Ahmet Delia, njerit prej njerëzve më të afërt të Isa Boletinit e Hasan Prishtinës. Në oborrin e shkollës “ Bajram Curri “, në fshatin Strellcë të Deçanit, Kosovë, busti i njërit prej themeluesve të kësaj shkolle dhe për shumë vite drejtor i saj, dëshmori Haki Povataj, rënë heroikisht në dhomat e torturës nga policia serbe. Po në Strellcë, në ”Varrezat e dëshmorëve“ të këtij fshati, 20 medalione, nga një për sejcilin dëshmor. Gjithashtu, në fshatin Strellcë të Deçanit, Kosovë, busti i dëshmorit Ismet Ukaj. Në fshatin Irzniq të Deçanit, Kosovë busti i dëshmorit Maxhun Çekaj. Në ceremoninë e organizuar, me atë rast, mori pjesë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Në qytetin e Vitisë, Kosovë, busti i Ambasadorit Amerikan Richard Holbrooke. Në fshatin Duraj të Kaçanikut, Kosovë, busti (tors) i atdhetarit Avdyl Duraj. Në komunën “Saraj” të Shkupit, Maqedoni, shtatorja e Isa Boletinit (kopje). Në Prishtine busti (tors) i Prof. Dr. Ali Hadri (kopje). Sarandën e zbukuroi dhe me bustin kushtuar Hillari Klinton.

Luftëtari i shquar për Pavarësi, Isa Boletini pasi kishte zënë sheshet e disa qyteteve kryesore të Shqipërisë, i u drejtua Kosovës së çliruar. Gjatë përurimit të shtatores së Isës, në fshatin e lindjes Isniq, morën pjesë Kryeministri i asaj periudhe Sali Berisha, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryeministri i Kosovës, Ashim Thaçi.

Skulptori Idrz Balani është pjesmarrës dinjitoz në konkurse të ndryshme, organizuar për vepra në skulpturë. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita të rrethit të Durrësit e Kombëtare, si dhe në disa konkurse kombëtare e ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar në Shkup kushtuar “Heroit Kombëtar”, Gjergj Kastriot Skënderbeu, në konkursin kushtuar Nënë Terezës, pranë Katedrales në Prishtinë, në “Konkursin ndërkombëtar kushtuar Ismail Qemalit”, etj. Është pjesmarrës i përhershëm i ekspozitës “Pranverë  Art”, që hapet çdo vit në pranverë, pranë Muzeut Kombëtar Tiranë. Në disa prej tyre është fitues dhe është nderuar me: Në dhjetor 2010 ka fituar konkursin për shtatoren e Isa Boletinit. Në janar  2012, në kuadër të konkursit  “Flaka e janarit”, që zhvillohet në Gjilan, është nderuar me “Mirënjohje” në sferën e Artit Pamor. Në prill 2012, është “Fitues i Çmimit të Publikut”, për realizimin e koncept-idesë “Varreza monumentale e eksodit të shqiptarëve të Çamërisë në Qafë Botë” ( Kllogjer ).

Më së fundi, me bashkëautore, ka marrë pjesë në një konkurs për zbukurimin e mjediseve turistike, me një vepër tejet të bukur artistikisht. E menduar për t’a vendosur në Golem, ajo vepër do i shtonte shumë vlerat estetike të mjedisit.

Ka shumë të thuhen për Idriz Balanin, pasi ai vet prek tema njerëzore e profesionale, që të lënë mbresë. Për kolegët dhe profesorët e tij është përherë mirënjohës e vlerësues. E ka një merak që kërkon t’a ndajë me të tjerët: I apasionuar pas bukurive natyrore dhe vlerave historike të qytetit ku ka kaluar jetën, është i pakënaqur nga mobilimi i duhur i mjediseve të shumta me vepra të artit të skulpturës. Ai e quan të pajustifikuar këtë varfëri, e cila nuk vjen nga mungesa e punëve krijuese, pasi ka disa koleg skulptorë në qytetin e Durrësit, që kanë realizuar vepra të bukura, por rrinë pa u vendosur ku duhet, sepse Bashkia nuk tregon vemendjen e duhur.

Muzeu i veprave të Idrizit do e bëjë dhe më të begatë jetën e pushuesve në Plazhin e Durrësit. Vizitori do të kënaqet estetikisht, do të mosojë e frymëzohet me shqiptarizëm e do të marrë me vete mbresa të pashlyeshme. Urime e suksese Idriz Balani!