Nga Shpendi Topollaj
Në të gjithë krijimtarinë time publicistike, kushtuar çështjes së pazgjidhur kombëtare dhe botuar si në shtypin e përditshëm ashtu dhe nëpër libra, ndër të tjera, kam shprehur përherë shqetësimin qytetar, të heshtjes apo apatisë së pafalshme që po karakterizon intelektualët tanë. Prandaj, kur më bije në dorë ndonjë artikull analitik apo libri i kujtdo autori qoftë, rreth këtij problemi, jo vetëm që e lexoj me ëndje, por edhe ulem e shkruaj për të, gjë që më ka dhënë mundësinë që përveç shfaqjes së respektit e simpatisë, të shtoj edhe radhët e miqve të mirë.
Kjo po ndodh mesa duket edhe me zotin Hysni Shaqiri, arsimtar, luftëtar dhe ish-deputet në Maqedoninë e Veriut, pas leximit të reflektimeve të tij politiko – atdhetare me titullin “Ideali i papërfunduar kombëtar”. Me fare pak fjalë paraqitet në fund të librit portreti i vetë Hysniut, por duke qenë se është i vërtetuar nga koha, ai postulati se shkrimtarin do ta gjejmë brenda faqeve të librave të tij, më duket se e kam të plotë figurën e këtij intelektuali, pra, karakterin burrëror, kulturën, dashurinë për Kombin tonë, dhe sidomos kurajën për t`i shprehur mendimet pa asnjë kompromis me këdo qoftë.
Të këtij misionari, që nuk ka rënë si shumë të tjerë në batakun e asaj që sociologu – filozof polak, Zygmunt Bauman, i cili nuk u pajtua me teoritë dhe praktikat komuniste, e quante dekadenca e intelektualëve. Në këto reflektime, ai ka vënë si nëntitull “Drejt Perëndimit, drejt inspirimit, drejt forcimit të shtet-formimit”, të cilat me domosdoshmërinë e përpjekjeve për bashkim, përmbajnë gjithçka trajton në këtë libër voluminoz prej njëzetetre kapitujsh. Dhe i ka shpalosur këto, ashtu sikurse thotë Zenel Anxhaku; “…me një shqipe të kulluar, të qartë për të gjitha shtresat shoqërore, me deduksionet, analizat dhe mesazhet për këdo”.
Autori ka zgjedhur që në analizat e tij të heqë paralele midis historisë dhe politikës, midis të shkuarës dhe realitetit të sotëm, midis rezistencës trimërore të rilindësve tanë dhe komës ku kemi rënë, midis synimeve aneksioniste të fqinjëve dhe përpjekjeve të pareshtura për liri e pavarësi të shqiptarëve, midis hipokrizisë së politikanëve tanë dhe idealeve të pastra të popullit, midis kartës të të drejtave për vet-vendosje dhe djallëzisë së diplomacisë ndërkombëtare, që na kanë lënë të copëtuar. Dhe ai nuk është thjesht konstatues i fatit dëshpërues, gati – gati tragjik të kombit tonë, por edhe sugjeron rrugët se nga duhet ecur, për të qenë një shtet i vetëm, si gjithë të tjerët në Evropë e më tej.
Hysni Shaqiri nuk mohon gjithçka është arritur, si fjala vjen shporrja e tiranisë serbe nga Kosova, pas luftës heroike të UÇK-së dhe forcave të NATO-s, dhe ato rezultate që u arritën te populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pas angazhimit në luftë të armatosur ndaj diskriminimit të dukshëm që u bëhej. Natyrisht që ishte Serbia ajo që luajti me shqiptarët në mënyrën më të pabesë dhe më kriminale. Ishte politika e saj aneksioniste, shkombëtarizuese, shpopulluese, nënshtruese që çoi në doktrinë akademike, deri në gjenocid të paparë, si ai i viteve 1998 – 1999.
Hysniu, kujton dëmet dhe padrejtësitë që na u bënë nga ato Kongreset e famshme, ku Fuqitë e Mëdha luajtën me kufijtë tanë si u deshi qejfi, por nuk harron të theksojë se veçanërisht në vitet 1941-‘48, pra periudha pas themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë nga emisarët jugosllavë dhe ndikimit të tyre si pasojë e nënshtrimit servil, në emër të ideologjisë komuniste, sipas së cilës; “gjithçka do të rregullohej pas fitores së përbotshme të saj”.
Ishte vetë Enver Hoxha në krye të asaj partie, që mallkoi vendimet e Mukjes, që heshti për masakrën e turpshme të Tivarit, që çoi repartet partizane për të nënshtruar nacionalistët kosovarë, që e quante Titon; “shpëtimtarin tonë” dhe i kërkonte atij bashkimin e Shqipërisë, si Republikë e Shtatë e Jugosllavisë!
Ishte po ky Enver-mostër, që burgoste e internonte apo kthente në duar e përgjakura të UDB – ashëve, të gjithë shqiptarët e mat`anë kufirit, që nuk e duronin tiraninë titiste dhe vinin në tokën amë. Ja se si shkruan ky autor: “Vetëm duke parë dhe analizuar, jo më shumë se tridhjetë vjet mbrapa, nga viti 1912, nuk do të kishte asnjë arsye fare, për të lidhur kontratë bashkëpunimi me komunistët serb gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Për Hysniun edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ka një fakt substancial, ku trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, nuk u çliruan nga pushtimi sllavo – ortodoks. Ai gjithashtu shprehet se edhe vartësia e Kosovës nga tekat e ndërkombëtarëve, qëndrimi i bindur i opozitës për lëshime Serbisë, apo ulja në bisedime me të, është një gabim i madh.
Në çështjen e madhe të kombit, sipas tij, të gjitha forcat politike, duhet të kenë një dhe vetëm një qëndrim të palëkundur. Interesat partiake dhe ato të kapjes së pushtetit, nuk duhet kurrsesi të pre-valojnë mbi interesin e përgjithshëm afatgjatë.
Për të, edhe pozicioni i politikës shqiptare dhe ekuivokët që e shoqërojnë, mbeten të qortueshme dhe mjaft të dëmshme. Teoritë e lëshimeve, shkëmbimit të territoreve apo ato të Ballkanit të Hapur, ku fitues dalin po serbët, janë krejt në kundërshtim me perspektivën e Kosovës. Për të dhe për çdo njeri me mend në kokë, është e pakuptimtë që veç të tjerave, të krijohen ato asociacionet serbe plot shejtanllëqe, brenda shtetit sovran kosovar.
Ai përshëndet guximin e kryeministrit Albin Kurti dhe e thotë pa drojë, se; ata udhëheqës që bëjnë politikën e gabuar të të huajve dhe po nxisin të rinjtë të braktisin vendlindjen, janë batakçinj dhe maskarenj.
Dhe kur bije fjala te roli i udhëheqësve, nuk ngurron të thotë: “Se sa e kanë pas mundësinë shqiptarët në historinë e tyre ta kenë një udhëheqësi me vetëdije të lartë dhe të pacenueshme kombëtarisht, me vlera njerëzore të dëshmuar moralisht dhe politikisht, se punojnë për atdheun e tyre është çështje që s`mund të konstatohet. Si rast i veçantë nuk mundemi të lavdërohemi asnjëherë, sepse edhe kur i kemi pasur mundësit e kemi rrënuar veten me skenar nga jashtë”.
Mendimi i autorit të librit, është se çelësi i suksesit si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, është politika e pavarur dhe me dinjitet, çka vjen së pari nga rritja e nivelit ekonomik të vendit dhe ruajtja e vlerave të trashëguara, pa të cilat, “Atdheu ynë nuk do të ketë ditë të bardha”.
Dhe ai shpreh keqardhjen e tij kur sheh se “mjerisht vazhdojnë të mbeten në pushtet po të njëjtët struktura, që tërë kohën e kanë gënjyer shumicën si demagogë të sofistikuar”. Ata, për të garantuar karriget e tyre, urrejnë dhe përjashtojnë këdo që kritikon apo shfaq ide përparimtare. Për Hysniun, populli shqiptar i cili nuk është as afrikan dhe as aziatik, por evropian, duhet së pari të çlirohet nga armiku i brendshëm, e pastaj të mposhtë atë të jashtmin.
Në çdo kapitull, ai nuk e fsheh bindjen se faktori kryesor i përparimit, mbetet përpjekja serioze për bashkim e trojeve shqiptare, dhe heshtja për këtë çështje është tradhti kombëtare. Përplasjet mes veti që na kanë kushtuar aq shumë, duhet të marrin fund, se ato i shërbejnë akuzave serbomëdha, se ne shqiptarët, nuk kemi aftësi shtetformuese.
Mjaft të rrezikshme e sheh ai edhe tezën se çështja jonë kombëtare, do të zgjidhet në kuadër të proçeseve integruese, pasi sipas tij, në Bashkimin Europian, pranohen shtete dhe jo populli i shpërndarë në shtete të tjera. Në kapitullin kushtuar bashkimit, sipas të Drejtës Ndërkombëtare, autori kritikon ashpër edhe ata dritëshkurtër që duke u hequr si të “moderuar”, pajtohen me teorinë absurde të ndarjes së kombit në dy shtete.
Në këtë drejtim, punon edhe propaganda armiqësore që, duke i quajtur shqiptarët popull pa vlerë, madje edhe ardhacakë, përhap idenë në Maqedoninë e Veriut, fjala vjen, se në kushtet aktuale, merr përparësi fryma e bashkim – vëllazërimit dhe nuk janë fare të nevojshme ndjenjat kombëtare.
Parë kështu, ai këshillon domosdoshmërinë e zgjimit nga letargjia dhe kontributit të dy Akademive të Shkencave tona, apo edhe mbajtjen e një Kuvendi Mbarëkombëtar. Sipas tij, po nuk u zgjidhën këto probleme, nuk ka as marrëdhënie të mira me fqinjët dhe as paqe me ta.
Edhe të huajt, kështu duhet ta shohin këtë, se ndryshe nuk do të ketë as stabilitet politik dhe as zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si popull dhe komb shqiptar. Më tej, Hysniu trajton shoqërinë multietnike, ku ka parasysh Maqedoninë e Veriut, vend ku nuk ka barazi për të gjitha etnitë e sidomos për shqiptarët, duke i quajtura ata të huaj dhe që ai e përcakton si një gabim historik.
Vend, ku nuk mungon vullneti tinëzar për të mos-zbatuar asnjë marrëveshje, duke filluar qysh nga ajo e Kuvendit të Parë në Manastrin Prohor Pçinski, në 2 gusht të vitit 1944 e, deri te Marrëveshja e Ohrit. Libri merret e trajton deri edhe me nevojën e ndarjes së pushtetit nga krimi etj., etj., por ajo që duhet theksuar është thirrja që u bëhet veçanërisht intelektualëve që ta thonë pa drojë fjalën e tyre, për ta ndërgjegjësuar si politikën, ashtu edhe masën e popullit se; “Çdo popull që e harron të kaluarën e tij, nuk mund të ketë një të ardhme të ndritur, nëse nuk përkushtohet në korrigjimin e padrejtësive nga e shkuara”.
Gjithmonë duke kujtuar se Hysni Shaqiri, arrin në konkluzionin se; “Athinën me atributet e shtetit në kohën e helenizmit, nuk e formoi demokracia, sepse ajo ekzistonte me fuqinë e saj, por persona publik si udhëheqës të saj me ide përparimtare, në një moment kur Athina u përball me krizë ekonomike dhe politike, pesë shekuj para Epokës së re”, pra njerëz të mençur si Soloni me shokë.
Ai Soloni që nuk ia kishte dëgjuar këshillat Mbreti i Sardes, duke iu gëzuar pasurisë, dhe para stivës me dru, ku desh e dogji Krisua – tregon Sami Frashëri – thirri: “Solon! Solon! Solon”! Prandaj, ky libër është dhe një apel që t`i dëgjojmë të mençurit tanë, sa nuk është vonë, se nuk do ketë më Mbret të na falë! Memorie.al