Një burrë 57-vjeçar është arrestuar në shtetin amerikan të Minnesota-s nën dyshimin për vrasjen e një ligjvënëseje demokrate dhe bashkëshortit të saj.
Arrestimi ndodhi të dielën në mbrëmje dhe ishte kulmi i një ndjekjeje të madhe që zgjati dy ditë, pas vrasjes së Melissa Hortman, një demokrate nga Minnesota, dhe bashkëshortit të saj Mark. Guvernatori i shtetit, Tim Ualz, e quajti ngjarjen një “vrasje me motive politike”.
Policia tha se Vance Luther Boelter ishte i armatosur në momentin e arrestimit në një zonë rurale në perëndim të Minneapolis-it, por u dorëzua pa rezistencë kur u përball me forcat e rendit.
I dyshuari akuzohet gjithashtu se ka qëlluar dhe plagosur senatorin shtetëror demokrat John Hoffman dhe bashkëshorten e tij Yvette, të cilët aktualisht janë zgjuar dhe në gjendje të qëndrueshme në spital. Zonja Hoffman tha të dielën se të dy ndihen “jashtëzakonisht me fat që janë gjallë”.
Boelter u ndalua pasi hetuesit gjetën makinën që ai dyshohet se kishte përdorur në qarkun Sibley, rreth 80 km larg vendit të krimit në Brooklyn Park, Minnesota.
Në operacionin për arrestimin e tij morën pjesë forcat ajrore dhe ekipet SUAT, në atë që u përshkrua si ndjekja më e madhe në historinë e Minnesota-s. Asnjë oficer policie nuk u lëndua gjatë arrestimit, dhe autoritetet thanë se nuk janë në kërkim të ndonjë të dyshuari tjetër.