Nga Lutfi Dervishi
Si në fenë islame, ashtu edhe në atë të krishterë, i vdekuri vlerësohet në qiell dhe jo në tokë.
Atje lart i jepet bileta njëdrejtimëshe për parajsë apo ferr, sipas peshës së jetës së tij.
Por në tokë, gjithçka duket se funksionon ndryshe. Vdekja nuk të bën as të mirë, as të keq. Ajo nuk e ndryshon bilancin e jetës, nuk i kthen mëkatet në virtyte, as dështimet në merita.
E megjithatë, pothuajse çdo herë, vdekja po përdoret si një amnisti morale: njerëz që gjatë gjithë jetës kanë prodhuar konflikte, kanë shkatërruar marrëdhënie, kanë dëmtuar të tjerët me karakterin e tyre, kanë shkelur ligjin dhe çdo kod moral, befas, sapo vdesin, shpallen “engjëj”.
Shoqëria sillet sikur vdekja është kapak floriri që mbyll gjithçka, fshin çdo mëkat e amniston çdo krim.
Në fakt, jo. Ky është rasti tipik kur “balta mbulon baltën”.
Ngushëllimi i sinqertë është për ata që lënë boshllëk pas vetes.
Shpesh kam lexuar me qindra komente: “pozitive” për njerëz që jo vetëm kanë patur probleme me ligjin, por kanë pasur edhe probleme me moralin më elementar njerëzor.
Kur bëhet fjalë për njerëz problematikë, heshtja është më fisnike sesa hipokrizia publike.
Familja dhe të afërmit le të mbajnë dhimbjen në qetësinë e tyre. Ata janë të vetmit tek të cilët nuk vlen proverbi: “Vdis të të dua.”
Nuk ka nevojë për spektakël hipokrizie.
Nuk kanë vlerë fjalët e ëmbla për ata që kanë kaluar jetën duke helmuar të tjerët.
Dante e ndau qartë rrugën mes parajsës dhe ferrit, sipas peshës së mëkateve që secili mbartte nga jeta. Sepse Zoti nuk i “peshon” njerëzit vetëm në momentin e fundit, por sipas gjithë udhës që kanë bërë. Kush ka trazuar/helmuar të tjerët gjatë gjithë jetës, nuk e ndërron dot fatin me një akt vdekjeje. Tek Zoti nuk funksionon amnistia e fundit; aty nuk ka vend për hipokrizinë që shpikim ne në tokë.
Ky është kulmi i dyfishtë:
imoralitet me jetën, me zgjedhjet e që vetë kanë bërë, amoralitet me vdekjen, sepse shoqëria bën sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Nuk është vdekja që e pastron njeriun, është jeta që ka bërë që e dëshmon kush ka qenë.