Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, por pa një deklaratë të përbashkët mes palës opozitare dhe asaj të mazhorancës socialiste.
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, deklaroi se opozita ngriti në këtë takim shqetësimet serioze që lidhen me procesin zgjedhor, mungesën e sundimit të ligjit, korrupsionin e përhapur dhe abuzimet me tenderat publikë.
“Nuk jemi në Strasburg për të firmosur deklarata sa për sy e faqe, por për të kërkuar ndryshime reale që prekin jetën e qytetarëve,” u shpreh Tabaku pas mbledhjes.
Ajo theksoi se shqiptarët kanë nevojë që procesi i integrimit të ndihet në jetën e përditshme dhe jo të mbetet një slogan politik në tavolinat e qeverisë.
“S’ka integrim të vërtetë pa zgjedhje të lira, pa demokraci funksionale dhe pa reforma të thella që luftojnë korrupsionin,” – nënvizoi Tabaku, duke shtuar se rruga europiane nuk është një destinacion formal, por një betejë për standarde dhe ndryshim të prekshëm për çdo qytetar shqiptar.
Për opozitën, bashkëpunimi me BE-në duhet të bazohet mbi angazhime të sinqerta dhe reforma të vërteta, jo në fasada dhe retorikë boshe.