Nga Fatos Çoçoli
Të enjten, më 12 qershor, një ditë përpara nisjes së sulmeve ajrore dhe me raketa të Izraelit mbi Iran, nafta bruto Brent tregtohej në tregjet ndërkombëtare me 81.7 dollarë fuçia. Me sulmin e parë natën e së premtes, më 13 qershor, menjëherë u rrit në 85.6 dollarë, për të arritur të shtunën në 91.3 USD, ose një rritje më shumë se 11 për qind në dy ditë! Irani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Me gjithë sanksionet amerikane për shitjen e naftës së tij, nafta iraniane sot jep 6 për qind të nevojave botërore, me prodhim prej mbi 3 milionë fuçish nafte në ditë. Çdo sulm ndaj infrastrukturës naftëmbajtëse të Iranit, veçanërisht në ngushticën e Hormuzit, mund të çojë në rritje të çmimeve deri në 100 apo 150 dollarë amerikanë për fuçi. Konflikti IzraelIran ka sjellë një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe ka rritur pasigurinë në tregjet globale dhe në bursat ndërkombëtare.
Ndërprerjet e mundshme të furnizimit dhe tensionet politike vazhdojnë të mbajnë tregjet nën presion. Nëse tensionet vazhdojnë të rriten dhe lufta përshkallëzohet, mund të shohim një rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës dhe ndikime të tjera negative ekonomike. Edhe ekonomia jonë nuk mund të kalojë pa u prekur. Por një gjë është e qartë si drita e diellit: në këto momente, nëse importuesit me shumicë të naftës tek ne vendosin të rrisin çmimin e naftës, ajo rritje do të jetë e gjitha abuzive. Kjo, për faktin se të gjithë importuesit dhe tregtarët e shumicës në karburante tek ne, veprojnë mbi bazën e mbajtjes së rezervave në siloset naftëmbajtëse, deri në tre muaj rezerva, sipas kërkesave të Ligjit nr. 8450, datë 24 shkurt, 1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”. Edhe pse mund të mos kenë fiks tre muaj rezerva të naftës së blerë para luftës Izrael-Iran, sërish rezerva një deri dy muaj importuesit me shumicë i kanë.
Kështu që duhet të kalojnë disa javë, përpara se sa importuesit, duke përzier çmimin e naftës gjendje në silose me çmimin e naftës të importuar pas datës 12 qershor 2025, mund të nisin të rrisin me 3-4 për qind çmimin e naftës. Nëse nuk do të ketë abuzim me çmimin e naftës në tregun tonë, sikurse jo rrallëherë ka pasur në të shkuarën, vëmendja duhet përqendruar te shtrenjtimi i çmimeve për të gjitha produktet energjetike që importojmë. Pas paralajmërimit ditën e djeshme të Izraelit për evakuimin e 330 mijë banorëve në Teheran, të gjithë treguesit e bursave ndërkombëtare ranë. Nëse konflikti përshkallëzohet në një luftë të drejtpërdrejtë midis Izraelit dhe Iranit, ekspertët e ekonomisë në të gjithë botën parashikojnë një ndikim të rëndë ekonomik global, me një rënie të mundshme deri në një trilionë dollarë në prodhimin e globit, si dhe rritje të inflacionit deri në 7 për qind, për vendet që varen kryesisht nga importi i naftës për nevojat e tyre të transportit. Dhe vendi ynë është importues 100 për qind i naftës së përpunuar për t’u tregtuar në pikat e pakicës së karburanteve, pasi nafta jonë është e rëndë dhe nuk arrin të përpunohet. Tani që Irani po kërcënon të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Izraeli ka goditur uzinat iraniane të rafinimit të naftës bruto në Bandar Abbas, çmimi i naftës pritet të rritet me vërtik.
Në Gjirin e Omanit dhe ngushticën e Hormuzit kalon 30 për qind e naftës botërore. Nëse Irani bllokon Ngushticën e Hormuzit, nafta e Irakut, Kuvajtit, Arabisë Saudite, Bahreinit, Katarit dhe Omanit bllokohet dhe ekonomia botërore mund të përjetojë një tjetër krizë të fortë të naftës, si në vitin e largët 1973. Ja përse qeveria jonë duhet të punojë me kompanitë kryesore importuese të naftës tek ne, që rezervat e tyre të jenë të bollshme dhe konform ligjit, si dhe të parashikojë një betejë të re ndaj inflacionit të rritur, nëse lufta Izrael-Iran vijon gjatë. Edhe me vazhdimin e luftës nuk ka gjasa, nëse qeveria nuk lejon abuzim në treg, që nafta tek ne për periudhën 19-30 qershor të rritet. Por më vonë mund të rritet pak.
Qeveria dhe e gjithë ekonomia jonë inflacionin nga kriza e re në Lindjen e Mesme nuk duhet ta shohë vetëm tek çmimi i naftës së importuar, por në radhë të parë tek energjia elektrike që në mes të korrikut apo gushtit, kur rezervuarët tanë në Fierzë e Koman janë ulur shumë dhe do të jemi të detyruar të importojmë energji elektrike. Me shtimin tri herë në katër vitet e fundit të energjisë nga parqet fotovoltaike (një të dhjetën e energjisë që sot prodhojmë e kemi nga dielli), varësia jonë nga importi është ulur. Megjithatë, ende për nevojat tona, importojmë 20-25 për qind të energjisë që konsumojmë gjatë një viti. Qeveria e sotme dhe ajo e shtatorit duhet të krijojnë fonde kontingjence, për të mos u ndodhur përpara të papriturave me energjinë e shtrenjtë që mund të jemi të detyruar të importojmë.