Robert Lewandowski do të udhëheqë sërish sulmin e Barcelonës sezonin e ardhshëm, pasi ka hedhur poshtë thashethemet se mund të largohet këtë verë.
Sulmuesi veteran ka kaluar sezonin e tij më të mirë në Kataloni, duke arritur në 101 gola në 147 paraqitje gjatë tri sezoneve me Barcelonën.
Sezoni 2024/25 ishte gjithashtu më e suksesshmja për të në Spanjë për një sezon të vetëm, me 27 gola të shënuar në La Liga dhe 42 gjithsej, duke humbur ngushtë garën për “Këpucën e Artë” ndaj Kylian Mbappé.
Megjithatë, ndërsa po afrohet mosha 37-vjeçare këtë verë, janë rikthyer zërat se klubi mund të mendojë ta largojë atë.
Vendimi i Lewandowskit për të mos iu bashkuar kombëtares së Polonisë për ndeshjet e muajit qershor në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës ka shkaktuar shumë polemika dhe ka çuar deri te dorëheqja e trajnerit të kombëtares, Michal Probierz.
Në një intervistë për median gjermane Bild, Lewandowski theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona.
“Kam fituar mbi 30 trofe në karrierën time. Por jam i gatshëm për më shumë”, tha ai.
“Nuk është temë për mua. Do të qëndroj edhe sezonin tjetër. Aktualisht, gjithçka që kam në mendje është Barcelona. Ekipi ynë do të jetë edhe më i fortë sezonin e ardhshëm.”
Kontrata aktuale e Lewandowskit me Barcelonën skadon në qershor të vitit 2026, por ekziston opsioni për ta zgjatur edhe për një vit tjetër, nëse ai vazhdon të paraqitet në nivel të lartë.
Pavarësisht vendosmërisë së Lewandowskit, raportime nga Mundo Deportivo tregojnë se klube nga Liga Pro Saudite po përgatitin oferta për ta transferuar në vitin 2026, si konkurrent ndaj mundësisë së rinovimit me Barcelonën.
Asnjë lëvizje nuk do të ndodhë para asaj kohe, meqë Lewandowski dhe Barcelona do të vazhdojnë të vlerësojnë formën e tij, por mbetet një opsion për të ardhmen.
Aktualisht nuk ka bisedime formale, pasi Lewandowski është i fokusuar tek detyrat aktuale, por negociatat mund të hapen në janar nëse Barcelona vendos të mos i ofrojë rinovim.