Një ish-asistent personal i Sean “Diddy” Combs dëshmoi në gjyqin ndaj tij për trafik seksual dhe organizatë kriminale, se kishte qëndruar pa gjumë deri në tre ditë ndërsa punonte për të.
Brendan Paul, ish-lojtar basketbolli në Universitetin e Syracuse, i cili punoi për Combs nga fundi i vitit 2022 deri në mars 2024 — po atë muaj kur agjentët federalë bastisën shtëpitë e Combs në Los Angeles dhe Miami Beach — dëshmoi të premten, 20 qershor, se ishte punësuar për të ndihmuar në planifikimin e ushqimit dhe programeve të stërvitjes për Combs.
Paul u arrestua në një aeroport në Opa-locka, Florida — pranë Miami-t — për akuza droge të njëjtën ditë kur u bastisën pronat e Combs në mars 2024. Akuzat u hoqën pasi ai përfundoi një program parandalues, dhe Paul dëshmoi në gjyq pas një marrëveshjeje imuniteti.
Asistentë të tjerë kanë dëshmuar më parë për kushtet ekstreme të punës pranë Combs-it. Paul tregoi se kur mori punën iu tha qartë që nëse kishte një të dashur ai duhej të ndaheshin, pasi pozicioni kërkonte disponueshmëri 24/7.
Ai tha se Combs linte të kuptohej se stafi i tij ishte si “SEAL Team 6”, njësi speciale elite ushtarake, dhe kërkonte që ata të punonin pa dështuar.
Paul tha se kishte kaluar tri ditë pa gjumë, duke mbijetuar vetëm me pak cikle të shkurtra gjumi. “Isha i ri, kështu që mund ta duroja,” shtoi ai, duke thënë se përdorte Adderall dhe, në mënyrë të kufizuar, kokainë për të qëndruar zgjuar.
Ai dëshmoi se Combs e kishte urdhëruar të blinte drogë me vlerë mijëra dollarë për të, përfshirë marijuanë, kokainë, ekstazi, ketaminë dhe substanca të tjera, gjatë kohës që punonte për të.
Paul tha se Combs i kishte bërtitur disa herë, përfshirë një rast kur ai harroi të merrte paketën me drogë. Kristina Khorram, ish-shefe e stafit të Combs, i tha pas asaj ngjarjeje që të qëndronte “në profil të ulët.” Por pak ditë më vonë, ai dëgjoi Combs që e konsideronte ngjarjen të harruar.
Paul përshkroi se çfarë duhej të paketonte për netët e Combs në hotel — seanca seksuale të shtytura nga droga — përfshirë: qirinj, kondoma, pije alkoolike, drita, lubrifikant Astroglide dhe një çantë Gucci plot me drogë.
Ai tha se këto netë në hotel pushuan pasi ish-partnerja e gjatë e Combs, Casandra “Cassie” Ventura, ngriti një padi të fortë kundër tij, duke e akuzuar për vite abuzimi fizik, emocional dhe seksual.
Paul tha se Combs i kishte kërkuar ta provojë drogën për të “provuar besnikërinë”, dhe ai pranoi: “Ndjeva një eufori, por jo efekt të plotë.” Kur Combs pyeti “a e ndjen mirë,” ai i tha “po” dhe vazhdoi punën.
Gjatë pyetjeve nga avokati i Diddy, Brian Steel, Paul u pyet: “Ti nuk ishe ndonjë mulë droge, apo jo?”
Ai u përgjigj prerë: “Absolutisht jo.”
Paul tha se lidhja emocionale me Combs është “e komplikuar.”
Tani 55-vjeç, Combs ka mohuar akuzat federale për trafik seksual, organizatë kriminale dhe transport për prostitucion. Ai është në paraburgim në Metropolitan Detention Center në Brooklyn.