Mëngjesin e sotëm dy tërmete të njëpasnjëshëm goditën vendin tonë, i pari ishte me magnitudë 4.1 të shkallës Rihter, ndërsa i dyti me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter.
Sizmiologu Edmond Dushi, në një intervistë për Tvklan.al tha se tërmetet e sotëm janë vazhdimësi e aktivitetit sizmik të para 3 ditëve (24 Qershor), kur u regjistrua lëkundja me magnitudë 4.4.
Sipas tij, ky aktivitet sizmik duhet të zgjasë deri 1 muaj me pasgoditje të tjera.
Pyetje: A janë lëkundjet e sotme vijimësi e tërmetit të tre ditëve më parë?
Sizmiologu Edmond Dushi: Po, është vazhdimësi e serisë që ndodhi para disa ditësh. Normalisht ajo seri duhet të vazhdonte edhe për një kohë më të gjatë, të paktën 20 ditë ose 1 muaj, por u stopua pas 48 orësh dhe kjo është e pritshme që të ketë një riaktivizim ose dhe një rritje të magnitudës të ngërçit tektonik që është krijuar aty.
Sizmiologu Edmond Dushi shprehet se paslëkundjet që pritet të vijojnë do të vërtiten rreth magnitudës 4, kjo bazuar edhe në informacionet që IGJEO ka në dispozicion.
Dushi thekson nga goditja kryesore e ditës së martë, deri tani janë regjistruar rreth 100 tërmete, shumica prej të cilëve janë të papërfillshëm.
Pyetje: Pritet një goditje më e fortë sizmike apo aktiviteti sizmik do të vijë duke u qetësuar deri në çlirimin e plotë të energjisë?
Sizmiologu Edmond Dushi: Statistikisht pritet të ketë magnituda të këtij niveli, mund të arrijnë dhe nivele të rendit 4, por kjo është statistikore dhe kjo varet shumë nga informacioni që ne disponojmë, pra do të thotë nga rrjeti që është në afërsi, që është i kënaqshëm por që nuk premton për saktësi të madhe. Një pjesë e pasgoditjeve janë mikro, shumë elementare dhe janë të padeshifrueshme për shkak dhe të zonës e cila është një zonë shumë e urbanizuar dhe stacionet ndodhen në këtë zonë, e për rrjedhojë ndikohen dhe nga niveli i zhurmave urbane që ekzistojnë. Megjithatë, mendoj që ky është trendi i magnitudave bazuar në të dhënat që disponojmë ne, që nuk janë të vogla, janë rreth 100 tërmete të regjistruar deri tani.
Për qytetarët, sizmiologu Edmond Dushi bën thirrje që të ruajnë qetësinë.
Sizmiologu Edmond Dushi: Për qytetarët është mesazhi që nuk duhet të panikosen pa të drejtë, por duhet të jenë gjithmonë të vëmendshëm për të marrë informacione për të dëgjuar mediat në rast se mediat japin informacione, siç është dhe rasti në fjalë, apo dhe zyrtarët që merren me emergjencat civile të cilët janë dhe përgjegjës për lëshimin e këtyre informacioneve udhëzuese. Ndërkohë, ajo që them unë si specialist, është që të ruajmë qetësinë edhe të bashkëjetojmë me këtë fenomen.
Sipas të dhënave sizmiologjike të IGJEO, tërmeti i parë ra në orën 08:59. Lëkundja ishte me magnitudë 3.9 me epiqendër në Fushë-Krujë, në një thellësi 19.3 kilometra. Ndërsa i dyti, disa minuta më vonë, saktësisht në orën 09:04, ishte me magnitudë 3.8, me epiqendër në Zall Herr të Tiranës, në një thellësi 15 km.
Informacionet zyrtare për aktivitetin sizmik në Shqipëri pasqyrohen nga “Albquake”.