Shqipëria ka shënuar një moment historik në sportet ujore, me organizimin e Kampionatit të Parë Kombëtar të Kitesurf-it, i cili u zhvillua në plazhin e Durrësit, në zonën e njohur si “Sektori Rinia”.
Mbi 30 sportistë të apasionuar nga Shqipëria dhe rajoni u mblodhën për të garuar në një event që solli për herë të parë në vendin tonë energjinë, emocionin dhe dinamikën e këtij sporti ekstrem. Të pajisur me dërrasa lundruese dhe parashuta të fuqishme, që i udhëhiqnin me shpejtësi mbi dallgët, pjesëmarrësit sfiduan jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe vetë natyrën, nën efektin e erës së fortë dhe kushteve të papritura detare.
Atmosfera në plazh ishte elektrizuese. Me ngjyra të forta nga parashutat që valëviteshin në ajër, sportistë në veprim të vazhdueshëm, publik të shumtë që ndiqte me entuziazëm çdo manovër në ujë dhe muzikë ritmike nga DJ që shoqëroi garën, Sektori “Rinia” u shndërrua për disa orë në një skenë të hapur energjie dhe lirie.
Ky kampionat vjen si pjesë e përpjekjeve për të promovuar Kitesurf-in si një disiplinë të re në Shqipëri, me potencial të qartë në zhvillimin e turizmit aktiv dhe sportiv. Organizatorët shprehen se synimi është që kjo garë të kthehet në një ngjarje të përvitshme, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve të preferuara për sportet ujore në Mesdhe.