Në emisionin “3D” autori i tij, gazetari Alban Dudushi, zbuloi komunikimin e drejtpërdrejtë me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për sa i përket fjalës që presidenti Bajram Begaj ishte menduar të mbante në hapje të sesionit të ri parlamentar.
Fjalimi nuk u përcoll te publiku, as te deputetët, ku figura të larta të opozitës ngritën zërin dhe kritikat ndaj qeverisë e vetë presidentit.
Pyetjes nëse presidenti vendosi vetë të tërhiqej, znj. Nikolla iu përgjigj me “po”.
“Ka vendosur vetë të tërhiqet nga fjalimi, sepse nuk mund të fliste me foltore të zënë,” tregoi z. Dudushi nga korrespondenca me kryeparlamentaren.
Juristja Brizida Gjikondi deklaroi në panelin e të ftuarve se presidenti Begaj mund të ketë humbur një pjesë të dinjitetit institucional me zmbrapsjen e tij nga fjalimi në Kuvend.
“Ku është burri i shtetit këtu? S’mund të justifikohet. Një burrë që i bie germa ‘rr’ dhe i bëhet ‘r’. I tha Lindita dhe ai iku,” u shpreh znj. Gjikondi.
Ndërkohë analisti Arjan Curi, duke iu referuar njerëzve të afërt me presidentin, tha se largimi nga qëllimi fillestar ishte për të mos e acaruar më tej situatën e nderë politike në sallën e punimeve plenare.
“Ambasadori gjerman është shprehur sot se ato që ndodhën do i dhembin më shumë opozitës sesa mazhorancës, sepse po bëhen gati non-grata të tjera. Nga presidenca më thonë se në momentin që presidenti dëgjoi deklaratën e znj. Nikolla që pamundësohet hyrja, gjykoi se është më mirë të mos e acarojë situatën, të mbrojë edhe dinjitetin e tij, ndaj u tërhoq,” deklaroi z. Curi.