Ballina Aktualitet Vëllai i Termet Peçit, zapton plazhin publik në Porto Palermo

Vëllai i Termet Peçit, zapton plazhin publik në Porto Palermo

12
0

Skandal në Gjirin e Fshehur: Plazhi publik i bllokuar nga porta private në prapaskenë, emri i vëllait të Termet Peçit

Një nga zonat më të veçanta dhe të pacenuara të bregdetit shqiptar, Gjiri i Fshehur në Porto Palermo, po përjeton një uzurpim të heshtur, por flagrant, të hapësirës publike. Aty ku për vite të tëra qytetarë të zakonshëm dhe turistë kanë shijuar natyrën, detin dhe paqen e këtij vendi të rrallë, sot i pret një portë hekuri e kyçur, që ndalon çdo përpjekje për të hyrë në plazhin që u përket të gjithëve.

Plazhi publik, i zaptuar nga privati

Ky bllokim nuk është bërë me njoftim zyrtar, as me tabelë paralajmëruese dhe as me ndonjë vendim publik të Bashkisë së Himarës. Porta është vendosur pa asnjë shpjegim, duke kthyer një zonë të lirë në një hapësirë të privatizuar në mënyrë të paligjshme. Në vend të aksesit për të gjithë, sot vetëm ata që arrijnë të sigurojnë çelësin nga stafi i një hoteli aty pranë mund të hyjnë në gjirin e ndaluar.

Burime për Publik.al tregojnë se ky hotel në kodër është në pronësi të Vojo Peçit, vëllai i ish-deputetit dhe ish-kryebashkiakut të Përmetit, Termet Peçi – një figurë e njohur e mazhorancës socialiste dhe emër i lakuar në disa skandale lokale me pasuri dhe prona. Duke shfrytëzuar lidhjet politike dhe boshllëqet ligjore, Vojo Peçi duket se ka arritur të përvetësojë praktikisht një segment të bregdetit shqiptar, duke vendosur kontroll të plotë mbi hyrjen dhe përdorimin e tij.

Ligji, një letër pa vlerë në Himarë?

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjit “Për zonat bregdetare”, bregdeti është pasuri publike e patjetërsueshme dhe nuk mund të privatizohet, zërë apo bllokohet pa vendim të posaçëm nga autoritetet shtetërore dhe vetëm në raste të parashikuara me ligj. Por në Himarë, si në shumë zona të tjera, ligji nuk vlen për të fortët dhe të lidhurit me pushtetin.

Në këtë rast, uzurpimi i Gjirit të Fshehur nuk është vetëm një skandal mjedisor, por edhe një shkelje brutale e të drejtave të qytetarëve, që përveç taksave që paguajnë, po përjashtohen gjithnjë e më shumë nga e drejta për të pushuar në vendin e tyre.

Bashkia e Himarës nuk ka dhënë asnjë reagim, ndonëse porta prej hekuri është aty prej javësh. Institucionet si Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Ministria e Turizmit dhe Inspektorati i Territorit po heshtin. Kjo heshtje është bashkëpunim. Sepse nuk ka nevojë për hetim të thelluar për të kuptuar që një hotel pranë gjirit e ka vënë portën, dhe vetëm klientët e tij hyjnë në plazh.

Kërkohet reagim publik dhe hapje e menjëhershme e plazhit

Banorët, turistët dhe qytetarët e indinjuar kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për heqjen e portës, rikthimin e aksesit publik dhe nisjen e procedurave ligjore ndaj autorit të kësaj shkeljeje flagrante. Gjiri i Fshehur është një pasuri kombëtare, jo një pronë private e një hoteli familjar të vëllait të një ish-politikani.

Nëse ky precedent nuk ndalet sot, nesër çdo bregdet i Shqipërisë mund të kthehet në pronë të mbyllur të pushtetarëve, klientëve dhe oligarkëve lokalë, duke përjashtuar qytetarët e zakonshëm nga e drejta për të pushuar dhe jetuar në vendin e tyre.