Ballina Ekonomia Perimet dhe vaji i ullirit në krye të inflacionit/ Kostot e prodhimeve...

Perimet dhe vaji i ullirit në krye të inflacionit/ Kostot e prodhimeve bujqësore u rritën me 4.8% në vitin 2024

15
0

Në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore arriti në 149.6 nga 142.8 që ishte në 2023, duke shënuar një rritje me 4.8%. Rritja më e madhe është regjistruar tek produktet bimore, me një mesatare vjetore prej 9.1%, ndërsa produktet blegtorale kanë shënuar një rritje shumë më të moderuar prej vetëm 0.4%.

Brenda grupit të produkteve bimore, perimet kanë qenë kampionët absolutë të inflacionit, me një rritje prej 21.6%. Ndërkohë, vaji i ullirit me një rritje prej 11.3% në raport me vitin 2023.

Megjithatë, jo të gjitha kategoritë kanë ndjekur këtë prirje. Drithërat dhe agrumet shënuan rënie të ndjeshme të kostove të prodhimit, përkatësisht me 15.4% dhe 12.2%, çka tregon një rikuperim në ofertë ose ndryshim në kërkesë.

Për sa i përket produkteve të drufrutorëve, rritja ishte më e butë, me 4.3%, ndërkohë që frutat janë shtrenjtuar me 6.1% dhe rrushi me 3.7%. Kostot e prodhimit të ullinjve kanë pasur një rritje të qëndrueshme prej 5.0%, ndërsa vera, një produkt i përpunuar bujqësor, ka ndjekur një trend më të butë me vetëm 2.4%.

Në sektorin e blegtorisë, çmimet janë ruajtur pothuajse të pandryshuara. Rritjet më të larta janë regjistruar tek gjedhët (2.9%), të imtat (3.1%) dhe mjalti (2.6%). Nga ana tjetër, ka pasur edhe ulje çmimesh, kostot e rritjes së derrave ranë me 3.0%, ndërsa qumështi i lopës dhe qumështi në përgjithësi kanë pasur një rënie prej rreth 1%.

Të dhënat konfirmojnë se viti 2024 ka sjellë sfida të ndryshme për fermerët dhe konsumatorët, me çmime të larta në varësi të kulturave bujqësore apo llojeve të prodhimit blegtoral. Kjo reflekton ndikimin e faktorëve të shumtë si kushtet klimatike, kostot e prodhimit dhe dinamikat e tregut./SCAN