Ballina Kosovë Tentativa për t’i dhënë fund ngërçit institucional/ Pas takimeve me partitë shqiptare,...

Tentativa për t’i dhënë fund ngërçit institucional/ Pas takimeve me partitë shqiptare, Presidentja Osmani pret sot përfaqësuesit e minoriteteve

14
0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një seri të re takimesh me përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës institucionale dhe për konstituimin e Kuvendit.

Pas takimeve të një dite më parë me liderët politikë, Osmani pritet që t’i vazhdojë konsultimet edhe sot. Bashkëkryetari i subjektit Guxo, Faton Peci, ka konfirmuar se është ftuar në takim nga presidentja në orën 09:00. Një ftesë të ngjashme ka marrë edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, e cila ka konfirmuar pjesëmarrjen për të enjten.

Të mërkurën, presidentja Osmani zhvilloi takime të ndara me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në komunikatën zyrtare të Presidencës u theksua se presidentja Osmani u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë që të arrijnë pajtueshmëri sa më shpejt, brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, për konstituimin e Kuvendit dhe zhbllokimin e proceseve institucionale në vend.