Ballina Kosovë ​Kurti: Krimet e luftës nuk vjetërsohen, por po na humbin dëshmitarët

​Kurti: Krimet e luftës nuk vjetërsohen, por po na humbin dëshmitarët

73
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konsideroi si çështje urgjente adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, për çka i bëri thirrje sistemit të drejtësisë për adresim sa më të shpejtë.

Ai para kabinetit qeveritar, në mbledhjen e së martës, tha se krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, por sipas tij është e rëndësishëm që të njëjtat të adresohen sa më shpejtë, pasi dëshmitarët po vjetërsohen dhe po vdesin.

Ai potencoi se po bëhet mbi një çerekshekulli prej luftës së fundit në Kosovë, e që pavarësisht se dëshmitë mbeten, dëshmitarët po humbin.

Gjatë mbledhjes, Kurti tha se me përgjegjësinë më lartë institucionale duhet të vazhdojnë me përkushtim adresimin e krimeve të luftës para drejtësisë dhe historisë.

Ai shtoi se angazhimi për paqe do të ndikojë në përmirësimin e jetës së brezave të rinj.

Kurti: Dëshmitë janë aty, mirëpo jemi duke i humbur dëshmitarët

“Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët e luftës të përballen me drejtësi. Andaj nga këtu i bëj thirrje sistemit të drejtësisë për adresim me urgjencë për rastet e krimeve të kryera gjatë luftës. Këto krime nuk vjetërsohen, por dëshmitarët janë gjithnjë edhe më të moshuar dhe besoni në shumë prej këtyre varrezave ku janë martirët e dëshmorët e kombit po bashkangjiten edhe varret e të mbijetuarve të cilët në këto vitet e fundit kanë ndërruar jetë. Andaj është çështje urgjente adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, sidomos se për shkak se me kalimin e viteve, jemi duke i humbur dëshmitarët. Dëshmitë janë aty mirëpo, jemi duke i humbur dëshmitarët, sepse u bë çerekshekulli nga lufta e fundit në Kosovë. Me përgjegjësinë më të lartë institucionale duhet të vazhdojmë me përkushtim adresimin e krimeve të luftës para drejtësisë dhe para historisë. Të angazhohemi për paqe sot për një jetë më të mirë për brezat e rinj, për më të vegjlit, për ata që vijnë pas nesh”, tha Kurti.