Gjatë vitit 2024, Shqipëria ka regjistruar një ulje të ndjeshme të numrit të azilkërkuesve krahasuar me vitin paraprak. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), vetëm 104 persona kanë aplikuar për azil në Shqipëri, në krahasim me 261 aplikime të regjistruara në vitin 2023.
Sa i përket vendeve të origjinës, aplikantët kanë ardhur kryesisht nga:
Afganistani me 27,9% të rasteve,
Siria me 17,3%,
Pakistani me 10,6%.
Muajt më aktivë për aplikime kanë qenë marsi, prilli dhe qershori, të cilët përbëjnë së bashku 57,7% të aplikimeve totale për azil.
Rënie edhe në fitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare
Në të njëjtën periudhë, 919 persona kanë fituar shtetësinë shqiptare, një shifër që përfaqëson një ulje prej 33,5% në krahasim me vitin 2023.
Ndërkohë, 472 persona kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare gjatë vitit 2024, duke shënuar një rënie prej 45,7% krahasuar me një vit më parë.
Kosovarët mbeten përfituesit kryesorë të shtetësisë shqiptare
Referuar vendit të origjinës së personave që kanë fituar shtetësinë shqiptare, ndarja bëhet si vijon:
49,1% janë me origjinë nga Kosova,
13,8% nga Turqia,
6,2% nga Maqedonia e Veriut.
Sipas të dhënave demografike, 33,4% e personave që kanë fituar shtetësinë dhe 41,3% e atyre që kanë hequr dorë nga ajo i përkasin grupmoshës 30-39 vjeç.