Ballina Opinion Shteti, spektator i shkeljes ligjit: Nga “stop rrënimit” te ultimatumi i radhës

Shteti, spektator i shkeljes ligjit: Nga “stop rrënimit” te ultimatumi i radhës

12
0

Nga Lutfi Dervishi

Që përpara se të merrte detyrën si kryeministër në 2013, (kohë kur përdorej iPhone 4) Edi Rama paralameroi aksionin kundër uzurpimit të hapësirave publike e ndërtimeve pa leje. Ai ngriti platformën “stoprrënimit” ku u bënte thirrje qytetarëve të denonconin me foto çdo ndërtim abuziv. Kryeministri e quajti, atëherë, fenomenin e ndërtimeve pa leje “një kancer agresiv” dhe premtoi një “operacion të gjerë e të thellë” me policinë e shtetit në krye, që s’do ndalej “deri në vendosjen e sundimit të ligjit mbi territorin”

Faqja e internetit stoprrenimit u përmbyt nga denoncimet.

Në shtator 2013, sapo mori pushtetin, policia  nisi  aksione kundër ndërtimeve pa leje: brenda dy javësh u inventarizuan mbi 4 mijë objekte të paligjshme dhe dhjetëra përgjegjës u proceduan penalisht.

Megjithatë, koha tregoi se “kanceri” i abuzimit me territorin nuk u trajtua kurrë si trajtohet tumori.

Pas aksioneve  me bujë, fenomeni i ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të trotuareve e çdo hapësire publike  vijoi të përsëritet, si serialet e Netflix,- çdo vit një sezon i ri.

Çdo verë në plazhe, qeveria paralajmëron dhe policia bën disa aksione duke hequr çadra e shezlongë të vendosura pa leje.

Në qytete  e veçanërisht në kryeqytet u kthye në rutinë  skena ku biznese të vogla e ndërtues të mëdhenj vendosin barriera dhe ndërtime provizore aty ku s’ju takon; nga trotuaret, te hyrjet e deri edhe në tarracën e pallateve.

Një pjesë e ndertuesve, pasi shesin apartamentet, vijojne të kontrollojnë hapësirat përreth sikur t’i kenë prona të lëna nga baba. Kryeministri e quan këtë praktikë  “abuzive dhe skandaloze”.

Sot, në ditëlindjen e tij,  Rama paralajmëroi publikisht bar-kafenetë dhe çdo subjekt që ka zënë hapësirë publike “të çmontojnë vetë” konstruksionet pa leje, ndryshe do të përballen me “forcën e ligjit”

Ai veçoi, ata që kanë bllokuar hapësirat mes pallateve me trarë e gardhe. Sipas zotimit të sotëm, në dy javët e para të këtij muaji do të bëhet inventarizimi i çdo zaptimi urban, ndërsa në dy javët në vijim  do të fillojë aksioni masiv për lirimin e tyre njëherë e mirë.

Melodia është e njohur: zero tolerancë, ligji mbi të gjitha, “shtëpinë e përbashkët do ta ngremë në hava” thotë kryeministri.

Por ata që ende i kanë sytë në ballë  dhe kanë tru (e jo byk) në kokë për të kujtuar, e kanë dëgjuar këtë muzikë edhe më parë.

Faktet flasin ndrushe. Me  2022 vetë qeveria shpalli “fushatë agresive” kundër shtesave pa leje në kulla (një prej kullave në sheshin Skënderbeu ka ndërtuar pesë kate pa leje),  duke u zotuar se do t’i konfiskonte për strehim social e shkelësit “do ta paguanin shtrenjtë”

Ky ultimatum u tret një vit më pas duke ua falur pothuajse të gjitha mëkatet ndërtuesve. Ndertuesit paguan me çmime simbolike. Ky rast tregon se “forca e ligjit” përkulet kur përballë janë interesat e atyre që kanë.

Edhe për  ligjin e duhanit një tjetër kauzë ku është  trumpetuar “luftë pa kompromis” faktet flasin ndryshe. Zbatimi i këtij ligji është zbehur deri në tallje. Vetëm 71 gjoba ndaj bareve në gjithë vitin 2024, një numër qesharak krahasuar me mijëra lokale ku pihet lirshëm duhan. Shteti,  është kthyer në spektator të shkeljes së ligjit.

Në këtë panoramë, thirrjet e kryeministrit për t’i “çmontuar vetë zaptimet” urbane tingëllojnë të drejta, por ironikisht të vonuara. Të drejta, sepse hapësirat publike u përkasin të gjithëve  dhe abuzuesit duhet të ndëshkohen. Por thirrjet janë të vonuara dhe disi hipokrite, sepse pikërisht nën qeverisjen e tij, uzurpimi i trotuareve, lulishteve e oborreve u bë normë e përditshme. Nëse do të kishte sado pak vullnet politik, hapësirat e përbashkëta nuk do kishin arritur në këtë derexhe.

Sa do të zgjasë këtë herë zelli për të liruar hapësirat publike nga kthetrat e privatëve? Thonë se me gushtin ikën dhe vapa. Thonë edhe që Elbasani po digjet…Por nëse ka një mësim nga këto 10 vitet e fundit, është fakti që entuziazmi i  aksioneve të tilla zbehet shpejt, ndërsa “kanceri i territorit” kthehet si baticë e zbaticë, largohet për pak sa për “respekt”, pastaj rikthehet më i fortë. Rusët e përshkruajnë më bukur me shprehjen: “me urdhër të peshkut, çdo gjë mund të ndodhë”