Ballina Opinion Shtypi botëror ftesë për të vizituar vendin “nga ku nuk duhet ikur”

Shtypi botëror ftesë për të vizituar vendin “nga ku nuk duhet ikur”

27
0
Nga Eva Mertiri

Gjatë këtyre ditëve, në veçanti vazhdon të tërheqë vëmendjen bumi i shkrimeve dhe emisioneve për Shqipërinë i mediave të vendeve të ndryshme. Dhe nuk e fsheh, së bashku me disa nga shoqet dhe shokët e mi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, jemi ndierë mirë nga tabloja e mësipërme dhe në koshiencën tonë impakti i saj ka qënë i dukshëm.

Kjo dhe për atë që këtë “bum” e shohim përditë në grupimet e shumta të turistëve. Mjafton të kalosh në bulevardin kryesor të Tiranës, teksa aparatet e këtyre turistëve fiksojnë pamje të bukura të kryeqytetit apo këta vizitorë, të ardhur nga katër anët e botës, janë përqëndruar në ekspozetë e ciceronëve pranë “Shtëpisë me gjethe”, te Muzeu “Bunk’Art”, pranë monumenteve të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, te Piramida…

Sipas medias franceze, vendi ynë shihet si destinacioni më trend për të pushuar në Evropë gjatë verës, por dhe gjatë muajve të tjerë të vitit. Ajo u bë  thirrje shtetasve të vet ta vizitojnë këtë vend, që “nuk është më shumë se dy orë e gjysmë larg
Parisit dhe që ka mundësi të pafundme për t’u eksploruar”.

Kam shfletuar këto ditë median britanike. Tërë shkrimet e saj i përshkon dëshira për të vizituar Shqipërinë, që turistët britanikë të mos lënë pa parë “atraksionet e shumta dhe tepër interesante të saj”, duke e cilësuar Shqipërinë, sipas prestigjiozes “The Telegraph”- një perlë e pakunduar e Ballkanit. Ose presigjozja tjetër britanike “The Guardian” e vlerëson vendin tonë si “një parajsë për pushuesit, me peizazhe të mahnitshme, bregdet dhe qytete historike.

Natyrë në male, lumenj e det në pak kilometra, monumente të shumta historike…, me kuzhinë të pasur tradicionale dhe mesdhetare”. Madje, po ndodh dhe kështu: Të rinj dhe çifte që nga Suedia, Gjermania, por dhe nga Kili, Argjentina e shijojnë Thethin, Dajtin, Gjirokastrën, Sarandën, destinacionet jo të pakta të dashuruar me to, duke ndihmuar vullnetarisht dhe familjarizuar, duke u bërë “të shtëpisë” me sipërmarrësit e bizneseve, me qytetarët e këtyre zonave. Duket paradoks, por gjithçka është e prekshme, frymëzuese. Sepse për ta dhe historia, kultura e vendit tonë, krahas, natyrës së
mrekullueshme, monumenteve të saj, janë një forcë magnetike e pavenitur që të mbajnë fort pas vetes.

Të gjitha këto nuk kanë si të mos të të entuziazmojnë për vendin tënd, por dhe të inkurajojnë shpresën, duke i vënë sadopak bërrylat pashpresës, që, megjithatë, ndihet jo pak dhe midis
nesh. Prandaj, që kjo e fundit të mos gjejë strehë të mëtejshme kërkon përkushtim më të madh. Pa u shpërndarë më gjerë, po ndalem në një nga momentet e rëndësishëm: te kujdesi ndaj atyre që kanë përfunduar dhe përfundojnë arsimin e lartë apo ndryshe, me kualifikim universitar. Theksova këtë, meqë lidhet drejtpërdrejt me ne. Sipas një statistike, numri i tyre ka zënë rreth 40 për qind të të larguarve nga vendi.

E kuptoj shumë mirë, që kryet përsëri do të anojnë këtej, sepse lidhet me mundësi më të mira të punësimit, me arsimimin dhe specializimin e mëtejshëm në universitete perëndimore, por edhe për të ardhura më të larta. Të mos keqkuptohemi. Sot askush nuk të mbyll dyert për lëvizje të lirë, sepse dhe në shtetet evropiane, biles edhe më të zhvilluar, njerëzit emigrojnë nga një vend në tjetrin. Edhe nga kursi ynë për bioteknologji, megjithëse të rrallë, përsëri ka që kanë emigruar. Por ç’ndodh? Ka prej tyre që kanë qënë të detyruar t’u drejtohen punëve jashtë profilit për të cilin kanë mbaruar studimet, gjë që normalisht, nuk ka kaluar pa stres.

Por, siç thotë një shprehja jonë e urtë, guri rëndon në vendin e tij. Prandaj, sikurse është e njohur, mbetet përparësor krijimi dhe më tej i hapësirave të punës për të rinjtë.
Shqipëria është në progres, ndërsa i afrohet pranimit në Bashkimin Evropian. Këtë, sikurse sollëm në shkrim, e pohojnë hapur, pa ekuivokë, qëndrimet entuziazte të medias botërore dhe të turistëve të shumtë të këtyre ditëve. Prandaj dhe shpresat tona bëhen më të gjalla. Dhe dilema hamletiane “të iki apo të mos iki nga vendi”, do t’i ketë dhe më tej mundësitë për t’i qëndruar pjesës së dytë të saj.