Katër të rinj janë arrestuar nga policia e Matit, pasi dyshohet se kanë dhunuar një investitor që po punonte për ndërtimin e një hidrocentrali në fshatin Kurqelaj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprat “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vetëgjyqësia” dhe “Shkatërrimi i pronës” ndaj H.B., 30 vjeç, S.Ç., 24 vjeç, L.B., 24 vjeç dhe L.K., 25 vjeç, të gjithë banues në Klos.
Sipas hetimeve, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të rinjtë dëmtuan një automjet të kompanisë që merrej me ndërtimin e hidrocentralit në zonë si dhe kanë goditur me grushte investitorin 39-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.
Materialet procedurale janë kaluar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.