Në deklaratën e sotme publike, sekretari i PL-së Tedi Blushi tha se arrestimi i Metës më 21 tetor 2024 është i pakrahasueshëm “edhe me arrestimin e Aleksei Navalnyt në Rusi”, duke e cilësuar këtë si “një skenar autokratik për të eliminuar kundërshtarët politikë”.
Sipas Blushit, Meta u rrëmbye në mes të ditës nga forca të armatosura e të maskuara, pa urdhër arresti, pa u lejuar të kontaktonte me avokatët apo të komunikonte me publikun. Ai tha se arrestimi u krye në mënyrë brutale, pa asnjë procedurë ligjore dhe se Meta është mbajtur në kushte degraduese, duke u trajtuar si armik politik, jo si qytetar nën hetim.
Blushi theksoi se as regjimi i Putinit nuk ka vepruar kaq brutalisht ndaj opozitarëve, ndërsa akuzoi drejtësinë shqiptare për heshtje dhe SPAK-un për bashkëpunim me qeverinë. “Ky nuk ishte arrestim – ishte rrëmbim politik,” tha ai.
Blushi kërkon për arrestimin e Metës, nisjen e një hetimi ndërkombëtar të pavarur, si dhe reagimin e BE-së dhe Këshillit të Evropës.







