Ballina Kosovë Vijon ngërçi politik në Kosovë/ Dështon edhe përpjekja e 44-të për konstituimin...

Vijon ngërçi politik në Kosovë/ Dështon edhe përpjekja e 44-të për konstituimin e Kuvendit

49
0

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për herë të 44-të që të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.  Më 9 korrik, ligjbërësit refuzuan sërish që ta formonin një komision të propozuar për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të mërkurën, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Ato pretendojnë se është jokushtetuese kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje – e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhje – që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, ndërsa LVV-ja ngulmon se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.

Seanca konstituive do të vazhdojë të premten e 11 korrikut.  Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.