Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur pushimin nga puna të 1353 punonjësve, një veprim drastik ky që vjen si pjeë e një plani për të riorganziuar adminstratën e Donald Trump.Masa përfshin 1,107 nëpunës civilë dhe 246 diplomatë të Shërbimit të Jashtëm me detyra brenda Shteteve të Bashkuara.
Sipas një njoftimi të brendshëm, diplomatët që preken nga vendimi do të vendosen menjëherë në leje administrative për 120 ditë leje kjo e paguar , ndërsa nëpunësit civilë do të përballen me një afat 60-ditor leje te paguar para largimit përfundimtar.
“Përmes kësaj riorganizimi, Departamenti po përqendrohet tek prioritetet diplomatike dhe po eliminon funksione të dyfishta apo jo-thelbësore”, thuhet në njoftim.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio e ka përshëndetur këtë proces si të nevojshëm për ta bërë departamentin më efikas dhe të përqendruar. “Nëse një zyrë mbyllet, nuk ke më nevojë për ato pozicione”, tha ai në një konferencë shtypi nga Kuala Lumpur.
Ndërkohe kritikët , përfshirë ish-diplomatë dhe ekspertë të diplomacisë, paralajmërojnë për pasoja të rënda ndaj aftësisë së Amerikës për të përballuar krizat globale. Akademia Amerikane e Diplomacisë e quajti këtë vendim “një akt vandalizmi ndaj kapacitetit operacional të diplomacisë amerikane”.
Ky riorganizim pasohet nga shuarja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila u përfshi në strukturat e Departamentit të Shtetit javën e kaluar. Plani i ri përfshin gjithashtu shkurtim të fondeve për ndihmën e huaj, eliminimin e zyrave që merreshin me të drejtat e njeriut, demokracinë, refugjatët dhe emigracionin – programe që administrata Trump i ka konsideruar si ideologjikisht të njëanshme dhe jo në përputhje me prioritetet e saj.
Vendimi vjen pas një vendimi të fundit të Gjykatës së Lartë që i hapi rrugën nisjes së këtyre pushimeve, ndonëse paditë ligjore mbi ligjshmërinë e këtij veprimi janë ende në proces.
Unioni i Shërbimit të Jashtëm Amerikan ka kërkuar që vendimi të shtyhet, duke paralajmëruar se “shkëputja e kësaj natyre dëmton interesat kombëtare të SHBA-së”.